Përgatiti: Sara Shehu
Asnjë shtrat nuk ka mbetur i lirë në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që në 21 shtretërit janë të vendosur pacientë me gjendje shëndetësore shumë të rënduar, prej tyre 9 në gjendje kome.
Shefi i repartit të Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka, tha se mungesa e hapësirës po u shkakton telashe në rritjen e numrit të shtretërve, ndërkohë që kërkesat për hospitalizim të pacientëve me dëmtim të sistemit nervor janë të shumta.
“Është mjaft e rëndë, nuk kemi mjaftueshëm shtretër, të gjithë janë të mbushur me pacientë, pasi që pacientët janë në gjendje të rëndë shëndetësore edhe ky vit na ka shoqëruar me këtë telash të njëjtë, s’ka hapësirë boll, megjithatë duhet cekur edhe sukseset që ka bërë stafi mjekësor gjatë këtij viti për trajtimin e këtyre rasteve…. brenda një muaji kemi trajtuar deri në 66 raste”, tha Shaqir Uka, shef i mjekimit intensiv në QKUK.
Uka theksoi se kërkesa e tyre e kamotshme për të pasur në dispozicion një qendër të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve, nuk është marrë parasysh nga
institucionet relevante.
“Ne gjithmonë si staf kemi kërkuar të kemi një qendër të veçantë që do të drejtoheshin pacientët që po i trajtojmë në këtë repart, për këtë janë në dijeni edhe dikasterët kryesorë, por nuk kanë ndërmarrë deri më sot asnjë hap për të cilën do të duhej të kishte një zgjidhje”, tha Uka.
Se nuk ka mjaftueshëm shtretër e thonë edhe familjarët e pacientëve të hospitalizuar në këtë repart.
“E kam babain, të shtrirë që një ditë aty, por nuk ka aspak vend aty, s’ka shtretër. Është dashur të bëhet një zgjidhje për këtë nga institucionet”, thotë një familjar.
“E vërtetë se mungesa e shtretërve po krijon tollovi e telashe, por nuk duhet harruar se shërbimet nga stafi mjekësor janë në nivel”, tha një familjar tjetër.
Sidoqoftë, reparti nuk po përballet me mungesë të barnave, pasi menaxhmenti thotë se gjendja në këtë drejtim është përmirësuar.
Ndryshe, nga janari deri në nëntor, 12 specialistë të mjekimit intensiv bashkë me 4 ekipe të infermierëve, kanë trajtuar afro 600 pacientë të patologjive të ndryshme shëndetësore.