Përgatiti: Arton Hamiti
Varfëria dhe papunësia vazhdojnë të jenë ndër problemet më të mëdha që shqetësojnë kosovarët, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.
Madje, sipas raportit më të ri të Pulsit Publik, varfëria tani është problemi kryesor, meqë deri në prillin e vitit të kaluar ishte papunësia.
“Siç po e shihni në grafikë, varfëria është si problemi kryesor me 28,6%, pasuar me papunësinë me 19,2%. Çka mund të theksoj këtu është përqindja e të anketuarve që e kanë parë varfërinë si problemin kryesor, është ngritur me 7,5% në krahasim me prillin e vitit 2023, ku varfëria ka qenë problemi i dytë kryesor në Kosovë”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit në UNDP.
Këto gjetje janë shqetësuese për Nuno Queiros, përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së për Kosovë.
“Nëse jeni të brengosur për varfërinë e mbi të edhe për papunësinë, atëherë keni një problem që do të ketë ndikim negativ të dyfishtë për të ardhmen”, tha Queiros.
Teksa përqindjet i konsideroi të larta, ish-kryetari i Odës Ekonomike, fajësoi Qeverinë për, siç tha, politikat sociale të gabuara.
“Nuk kemi pa strategji për të parandaluar efektin negativ të inflacionit. Pika tjetër ka bëjë me varfërinë që dita-ditës po shtohet dhe krejt kjo dëshmon se politikat qeveritare që me ndihma sociale të ndalohet varfëria, janë të gabuara”, tha ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Megjithatë, të dhënat e anketës të nëntorit të vitit 2023 tregojnë se mesatarisht 42% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore.
“Unë besoj që zhgënjimi i qytetarëve në të kaluarën ka qenë shumë i madh që kjo që bëhet sot nga ana e Qeverisë aktuale, u duket mirë. Mirëpo e tërë kjo e dëshmon një verbëri dhe një fanatizëm politik që vërtet duhet të na shqetësojë”, tha Gërxhaliu.
Mes tjerash, thuhet se është vërejtur ndryshim sa i përket perceptimit të korrupsionit në shkallë të gjerë, te Policia e Kosovës, nga 7,3% në 17,9%.
Institucioni më i korruptuar është perceptuar të jetë Dogana, me 39% të të anketuarve që besojnë se ka prani të korrupsionit në shkallë të gjerë.
Këto gjetje janë përpiluar pas anketimit të 1.306 respondentëve, mbi moshën 18-vjeçare, në periudhën 8-27 nëntor të vitit 2023.