Ukraina së shpejti do të sqarojë detajet ligjore të një sipërmarrjeje të përbashkët prodhimi armësh me SHBA-në.
Kështu ka thënë të mërkurën ambasadorja e Kievit në Uashington, duke treguar se bëhet fjalë për një proces, si pjesë e një përpjekjeje kritike për të forcuar industrinë e mbrojtjes së Ukrainës.
Zyrtarët shpresojnë të rrisin prodhimin vendas të armëve me ndihmën perëndimore, ndërsa ushtria po i kundërvihet forcave ruse më të mëdha dhe më të armatosura në vitin e katërt të luftës.
Olha Stefanishyna tha se një delegacion ukrainas do të vizitojë SHBA-në më 30 shtator, pasi mori një “sinjal pozitiv” nga presidenti Donald Trump, i cili u takua me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky në Nju Jork të martën.
“Pati një reagim shumë të gjallë nga presidenti amerikan. Ai kaloi disa minuta duke admiruar inovacionin (dhe) aftësitë e Ukrainës”, tha ajo në televizionin ukrainas.
Të dy udhëheqësit kishin diskutuar më parë konturet e një marrëveshjeje të përbashkët prodhimi që përfshinte dronë, për të cilën Zelensky tha se kanë marrë mbështetje politike nga Trump.
Trump të martën shprehu gjithashtu mbështetje të re për përpjekjet e luftës së Kievit, duke sugjeruar se duhet të vazhdojë të luftojë për të rimarrë më shumë territor të tij. /Telegrafi/