Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me operatorët e biznesit ushqimor, ku theksoi se siguria ushqimore është një nga sfidat më të vështira dhe më komplekse të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kryeministri tha se 900 subjektet ushqimore që operojnë në vendin tonë rrezikojnë mbylljen apo përjashtimin nga tregu që ditën e parë të anëtarësimit të vendit nëse nuk përmbushin standardet e BE-së.
“BE ka sjellë një përfaqësi ekspertësh që kanë parë pikat e prodhimit, grumbullimit dhe aktivitete që lidhen me produkte shtazore dhe nënproduktet e tyre dhe kanë lënë një sërë detyrash të cilat do të duhet të ndërveprojmë me 900 subjekte që janë në vend dhe që kanë rrezikun shumë të qartë të mbylljes ose përjashtimit nga tregu që nga dita e parë e anëtarësimit”, tha ai.
Rama theksoi se informaliteti në sigurinë ushqimore mbetet një problem i përditshëm, ndaj është vënë theksi tek jetësimi i ligjit të ri për inspektoriatet dhe reformimi i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit. Ai shtoi se Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare dhe AKU ka nevojë për mbështetje dhe binjakëzim me institucionet e BE-së, për të marrë eksperiencën e tyre.






