Për rastin e therjes me thikë të katër personave dje në Ferizaj, Policia e Kosovës fillimisht arrestoi një të dyshuar 59 vjeçar i cili, më pas doli të jetë arrestuar gabimisht. Ai u lirua menjëherë pasi u konfirmua se nuk ka dorë në këtë rast, ndërkaq personi që kreu sulmin me thikë që cilësohet si vrasje në tentativë, u vetëdorëzua në polici.
“Me datën 12 nëntor rreth orës 03:00 të mëngjesit një person tjetër me inicialet F.I i moshës 62 vjeçar nga Ferizaj është lajmëruar në polici, i cili është i dyshuar në rastin vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj. Me vendim të prokurorit i arrestuari i parë E.S është liruar, ndërsa i dyshuari me inicialet F.I është ndaluar në mbajtje për 48 orë procedura tjera hetimore.”, ka njoftuar Policia.
Personi i dyshuar për therje me thikë të katër personave, dy vajzave të mitura dhe dy burrave, në Ferizaj, ka qenë i dënuar edhe me herët për “Vrasje të rëndë”. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj Vjosa Baftiu.
“I dyshuari më herët ka qenë në burg, i dënuar për vrasje. I dyshuari është me inicialet F.I, viti i lindjes 1962.”, tha Baftiu.
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës deklaruan se gjendja e katër të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë.
Rasti i therjes me thikë në Ferizaj ngjalli valë reagimesh për gjendjen e sigurisë publike në Kosovës. Njohës të fushës së sigurisë vlerësojnë se Policia e Kosovës duhet të shtoj aktivitetin në parandalimin e sulmeve të tilla.
Bazuar në këto raste njohësi i sigurisë Drizan Shala, thotë se siguria publike po cenohet çdo ditë e më shumë.
“…janë veprime psikologjike, janë trauma të depresionit shoqëror e social. De facto sa ma afër fundvitit të mos zhvillimit ekonomik që e atakton drejtpërdrejt mirëqenien dhe aspektin psikologjik ndikojnë që të kemi shtim të aktiviteteve kriminale. Rasti i fundit në rajonin e Ferizajt dëshmon faktin që institucionet e Kosovës duhet të marrin masa preventive që të ketë një hallkë zinxhirore që nuk po funksionon sic duhet dhe po kemi situata të tilla. Në aspektin e sigurisë policia e Kosovës do të duhet të ristrukturohet në aspektin kuadrovik dhe të kemi një shtim të fokusit nga drejtoria e përgjithshme…”. tha Shala për rtv21.tv
Edhe njohësi tjetër i sigurisë, Bedri Elezi, ka kritika për angazhimin e policisë në parandalimin e sulme të tilla në hapësira publik. Ai thotë se policia jonë është më e fokusuar te kundërvajtjet në trafik dhe shqiptimi i gjobave
“…kemi ngritur shqetësime edhe me performancën e policisë së kosovës. Rasti i ditës së djeshme ku policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar gabimisht dhe ka lënë të lirë personin i cili ka arritur që të kryej një vepër të rëndë penale duke rrezikuar jetën e katër qytetarëve, lë me kuptu që policia e kosovës është larg pritjeve e performancës së një polici koherente që do duhej të merrte të gjitha masat për të garantu mos ndodhjen e veprave penale…”, tha ai.
Njohësit e fushës së sigurisë vlerësojnë se mungesa e kontrollit të mjaftueshëm nga Policia e Kosovës, posedimi i armëve pa leje e mjeteve të tjera të mprehta kanë sjellur në vend një situatë të brishtë të sigurisë, dhe sipas tyre jemi në mëshirën e fatit. /RTV21