Maturantë nga shumë shkolla të Kosovës u bënë pjesë e garës me biçikleta që u organizua në kryeqytet, në kuadër të edicionit të tetë të revistës shkollore “Siguria në rrugë”.
Sipas organizatorëve, aktivitete si ky kanë filluar të marrin rol edukativ dhe arsimor në vend.
“Diku në vitin 2013 ka filluar edicioni i parë i revistës shkollore “Siguria në Rrugë”. Dhe sot mbushëm 10 vjet të këtyre aktiviteteve jashtë-mësimore, por edhe mësimore, nëpër nivele të ndryshme të shkollave në mbarë Kosovën. Ministria e Arsimit është bashkëpunuese vazhdimisht në të gjitha këto aktivitete, për shkak se ka bërë përzgjedhjen e shkollave në të gjitha aktivitetet”, tha Muhamed Krasniqi nga Akademia “Tempulli”.
Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatqiu, premtoi se në të ardhmen do të ketë shtigje më të përshtatshme për çiklistët.
“Kemi zgjeruar shtigjet e biçikletave, jemi duke punuar në rritjen e sigurisë në to. Sigurisht që ka nevojë më të madhe dhe këtu ku jemi tash në shesh, kemi nevojë për ndryshimet e fundit, të cilat i nevojiten këtij sheshi që të bëhet tamam shesh”, tha nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.
Aktivitete si ky u përkrahën edhe nga Policia e Kosovës.
Si çdo aktivitet tjetër, Policia e Kosovës edhe kësaj radhe do t’i mbështesë pothuajse në të gjitha komunat, përfshirë edhe kryeqytetin me pjesën e ligjërimit nëpër institucione apo shkolla. Fokus kanë qenë klasat e 12-ta, gjë që për ne është me rëndësi, meqë kjo moshë është mosha ku pothuajse shumica prej tyre do ta kenë fatin që t’i nënshtrohen testit të pjesës teorike, apo marrjes së patentë-shoferit”, tha nënkoloneli, Jeton Rexhepi.
Kjo ngjarje u organizua nga akademia “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar për Motorizëm dhe kishte mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Policisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: