Truri reagon ndaj mungesës së oksigjenit me shenja delikate, që shpesh i ngatërrojmë me lodhje ose stres. Njohja e tyre në kohë mund të parandalojë dëmtimin e përhershëm të qelizave nervore
Ndjenja e papritur e humbjes së ekuilibrit, shpesh e shoqëruar me përzierje, lëkundje ose ndjesinë sikur gjithçka rrotullohet, është pasojë e dëmtimit të strukturave në trungun e trurit ose në trurin e vogël.
Marramendja është një simptomë e shpeshtë dhe shpesh e nënvlerësuar, që mund të jetë e padëmshme, por edhe shenjë e një çrregullimi serioz neurologjik. Veçanërisht është e rëndësishme të njihet marramendja si simptomë e goditjes në tru.
Kur marramendja është shenjë e goditjes në tru
Ndërsa në situatat e përditshme shfaqet si një shqetësim kalimtar, në disa raste marramendja mund të sinjalizojë fillimin e një goditjeje në tru, sidomos kur shoqërohet me shenja të tjera neurologjike dhe kur shfaqet papritur, pa ndonjë shkak të qartë të jashtëm.
Gjatë fazës akute të marramendjes së shkaktuar nga goditja në tru, personi humbet aftësinë për t’u lëvizur në mënyrë të pavarur. Kjo ndjenjë e menjëhershme e humbjes së ekuilibrit, e shoqëruar me përzierje, lëkundje ose ndjesinë sikur gjithçka rrotullohet, është pasojë e dëmtimit të strukturave të trungut të trurit ose trurit të vogël, pjesët që janë përgjegjëse për koordinimin e lëvizjeve dhe ruajtjen e stabilitetit trupor, transmeton Telegrafi.
Çfarë është marramendja qendrore
Në dallim nga marramendjet kalimtare të shkaktuara nga çrregullime të veshit, si marramendja pozicionale beninje (BPPV) apo sëmundja e Menierit, marramendja qendrore që shoqëron goditjen në tru zgjat më shumë, nga 20 minuta deri në 24 orë. Zakonisht ajo shfaqet së bashku me simptoma të tjera neurologjike: shikim të dyfishtë, dobësi në gjymtyrë, vështirësi në të folur ose paqëndrueshmëri gjatë ecjes.
Ky lloj marramendjeje nuk duhet ngatërruar me sulmet ishemike kalimtare (TIA), të cilat zgjasin më shkurt dhe kalojnë pa dëmtime të përhershme. Në rastin e goditjes në tru, marramendja shoqërohet me dëmtim të përhershëm të funksionit të pjesës së trurit që preket nga mungesa e qarkullimit të gjakut.
Faktorë të tjerë rreziku: marramendja, hipertensioni, diabeti…
Vlerësimi i gjendjes së pacientit në këto raste përfshin analizimin e faktorëve të rrezikut: presionit të lartë të gjakut, diabetit, niveleve të larta të yndyrave në gjak dhe duhanpirjes, si dhe përcaktimin e mekanizmit të goditjes, nëse ka ndodhur për shkak të trombozës, embolisë apo çrregullimeve të tjera vaskulare.
Pikërisht për këtë arsye, çdo marramendje e papritur dhe e fortë, që e bën të pamundur ecjen e pavarur, është shenjë alarmi dhe kërkon vlerësim mjekësor urgjent. Njohja në kohë e këtij simptomi mund të jetë vendimtare për të parandaluar pasojat e përhershme të goditjes në tru dhe për të shpëtuar jetën.
Simptoma të tjera të goditjes në tru
Përveç marramendjes, mund të shfaqen edhe këto shenja:
dobësi ose mpirje e papritur e fytyrës, krahut ose këmbës, zakonisht në njërën anë të trupit
çrregullim i të folurit (vështirësi në shqiptim, të folur të pakuptueshëm ose pamundësi për të kuptuar të tjerët)
humbje e menjëhershme e shikimit në një ose të dy sytë, ose shikim i dyfishtë (diplopi)
humbje ekuilibri, pasiguri gjatë ecjes, pengim ose anuesje në njërën anë
dhimbje koke e papritur dhe shumë e fortë, pa shkak të njohur
konfuzion, çorientim ose humbje vetëdijeje.
Këto shenja, sidomos kur shfaqen së bashku me marramendje akute, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Çdo minut është i çmuar – diagnostikimi i shpejtë dhe trajtimi në kohë mund të parandalojnë dëmtimet e përhershme të trurit dhe të rrisin ndjeshëm shanset për shërim. /Telegrafi/







