Përgatiti Anila Grazhda
Leximi është një prej aftësive më themelore në arsimimin akademik, pasi pasuron fjalorin, përforcon strukturimin e ideve dhe stimulon mendimin kritik. Në emisionin “LIBERO”, psikologu Fitim Uka shpjegoi konkretisht se si leximi ndikon fuqishëm në mënyrën se si njerëzit analizojnë, vlerësojnë dhe zhvillojnë argumente.
Sipas Ukës, në nivelet më të larta akademike, leximi nuk është vetëm një mjet për fitimin e informacionit, por edhe një ndërmjetës për të kuptuar “dikotominë” në mendim — që do të thotë kufijtë mes ideve pro dhe kundër, dhe nuancat mes tyre.
“…Në nivelin akademik, në veçanti, leximi e pasuron gjuhën, të folurit e fuqizon edhe më tepër për argumentet, kupton dikotominë në të menduar, që ka një linjë të caktuar të të menduarit; pra ka një tjetër kontra, ndoshta edhe një shumëngjyrësi mes këtyre dy palëve, dhe mandej, me këtë mendim kritik, t’i qasesh në ato detyrat, në ato problemet të cilat kërkojnë zgjidhje dhe ne këtu çalojmë…”, theksoi Uka.
Disa kërkime shkencore dhe artikuj akademikë konfirmojnë pikëpamjen e Ukës se leximi ndikon në zhvillimin e mendimit kritik, gjuhës dhe aftësisë për analizë. Një artikull në MDPI argumenton se aftësitë e mendimit kritik (critical thinking) dhe aftësitë metakognitive janë “urë” (bridging processes) që lidhin dekodimin e tekstit me mirëkuptimin e tij (comprehension).
Autorët sugjerojnë që leximi i rregullt i teksteve komplekse akademike mund të ndihmojë në ndërtimin e një skeme globale njohëse (global schema building) dhe në përmirësimin e arritjeve akademike.
Gjithashtu, vlen ta potencojmë se studime nga Psychology Today, MDPI dhe Harvard Graduate School of Education tregojnë se leximi zhvillon analizën, gjuhën dhe aftësinë për të marrë vendime të bazuara në mendim kritik.
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme nga psikologu Fitim Uka (dhe mysafirët e tjerë), klikoni në linkun e mëposhtëm:







