Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këtë të martë është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Apelit të Shqipërisë. Kjo gjykatë e hodhi poshtë kërkesën për ekstradimin e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Në përfundim të gjykimit në Apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi: Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Rrëzimin e kërkesës për ekstradimin e shtetasit D.G nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Heqjen e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin D.G, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, datë 20.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thuhet në vendimin Gjykatës së Apelit të Shqipërisë.
Goxhaj ishte arrestuar më 31 korrik me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës, derisa akuzohej për nxjerrjen e emrave të dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria.
Gjithashtu, Goxhaj u akuzua edhe për pengim të punës së zyrtarëve të gjykatës dhe frikësim të dëshmitarëve. Arrestimi i tij ishte kryer në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe kjo ishte hera e parë që Gjykata Speciale kryente arrestim në territor jashtë Kosovës.
Gjatë luftës në Kosovë, Goxhaj ishte shoqërues i trupave amerikane. Ai i ishte bashkuar UÇK-së si oficer i ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm, të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.