Shumë çifte kanë probleme me ngjizjen, të cilat ndikohen nga shumë faktorë, duke përfshirë stilin e jetesës moderne dhe stresin
Në Britaninë e Madhe, rreth 15 për qind e çifteve e kanë këtë problem dhe konsiderohet se ekziston problemi nëse gruaja nuk mbetet shtatzënë pas 12 ose më shumë muajsh seks të rregullt të pambrojtur.
Shpesh të dëshpëruar, çiftet vendosin për zgjidhje të ndryshme – nga barishtet, mjekësia alternative, akupunktura deri te përpjekjet për ngjizje artificiale.
Shkencëtarët janë gjithashtu në kërkim të shkaqeve të problemeve me ngjizjen, kështu që shumë studime të ndryshme janë kryer mbi këtë temë.
Rezultatet e një studimi të tillë u publikuan në gazetën Daily Mail, dhe ai mbuloi më shumë se katër mijë gra të moshës riprodhuese gjatë një periudhe pesëvjeçare dhe u fokusua në kohën e shkuarjes për të fjetur gjumë, domethënë se sa mund të ndikojë koha e shkuarjes në gjumë që të ketë gjasa për të ngelur një grua shtatzënë.
Deri më tani dihej se gjumi është i rëndësishëm, por këto rezultate tregojnë se nuk është e rëndësishme vetëm sa orë flenë gratë, por edhe koha kur ato shkojnë për të fjetur mund të ketë një ndikim të caktuar në ngjizje. Domethënë, rezultoi se gratë që rregullisht shkojnë për të fjetur pas orës 22:45 kanë një shans 22 për qind më të lartë për të pasur probleme në përpjekjen për të mbetur shtatzënë.
Rezultatet gjithashtu tregojnë se nuk ka ndonjë ndryshim të madh në mundësinë e ngjizjes tek personat që shkojnë në gjumë deri në orën 22:45, por pas këtij orari vërehet një rënie e konsiderueshme, transmeton Telegrafi.
Si arsye të mundshme përse fjetja më vonë mund të ndikojë në aftësinë për të ngjizur, shkencëtarët përmendin çrregullimin e “orës së brendshme” të trupit të njeriut, i cili shkakton një reagim zinxhiror hormonal që ul gjasat e fekondimit.
Studimi është kryer në një spital në qytetin Hunan të Kinës dhe ka zgjatur nga viti 2015 deri në vitin 2020. Duhet theksuar se në kërkim janë përjashtuar faktorët që mund të ndikojnë negativisht në ngjizje, si mbipesha, duhanpirja dhe konsumimi i alkoolit. Ndërkohë, disa studime të mëparshme tashmë kanë treguar se sa i dëmshëm mund të jetë alkooli për gratë shtatzëna.
Në këtë studim veçohet edhe fakti se, për shkak të stilit modern të jetesës, njerëzit shpesh shkojnë më vonë në gjumë, gjë që në fund mund të ndikojë edhe në mundësinë për të ngjizur. /Telegrafi/