PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI
Në orët e para të së shtunës, një pjesë e kodrës përfundoi në mes të asfaltit.
Sasia e madhe e dheut dëmtoi rëndë 150 metra të rrugës Dollc-Gjakovë, duke e bërë kështu të pakalueshme.
Meqë rruga është e bllokuar, zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës njoftuan qytetarët për rrugët alternative.
“Po mundohemi që Brenda një kohe të shkurtër rruga të lirohet për qarkullim, mendojmë që sot në mbrëmje apo nesër, udhëtaret t’i përdorin njëherë rrugët alternative”, tha Qamil Feka, drejtor i Departamentit për menaxhimin e rrugëve.
Disa vozitës që këtë rrugë e përdorin pothuajse çdo ditë, të shtunën u detyruan ta bëjnë në këmbë.
Shembja e dheut ua kishte lënë në gjysmë shëtitjen edhe disa vizitorëve.
Rruga 30 kilometërshe, Dollc-Gjakovë, ishte planifikuar të zgjerohej nga muaji mars i vitit 2019, kështu për t’u shtuar edhe dy shirita qarkullues.
Ndonëse i paraparë të përfundoj për 3 vjet, punët nuk janë afër përfundimit as pas 5 vjetësh.
Pavarësisht kësaj, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, projekti me vlerë mbi 41 milionë euro, pritet të përfundojë në fund të vitit 2024./atvlive.tv/






