Shiroka Pula kërkon mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Hungarisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.
Këtë kërkesë ajo e bëri gjatë takimit me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Dux, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian dhe bashkëpunimin ekonomik.
Reklamë
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të këtij shteti që nga periudha e luftës, gjatë procesit të shtetndërtimit dhe në përpjekjet për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.
Presidentja theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes hungareze për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për avancimin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet 2 vendeve.
Shiroka Pula theksoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, si dhe nevojën për organizimin e takimit të ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ekonomik.
Sipas saj, në këtë takim duhet të përfshihen edhe përfaqësues të bizneseve, me qëllim identifikimin e sektorëve me potencial për bashkëpunim dhe nxitjen e investimeve të reja.
Reklamë







