Abdullahu falënderon presidenten për vendosjen e logos së UÇK’së në Presidencë: Ju e bëtë, Osmani e anashkaloi kërkesën

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, reagoi pas vendosjes së logos së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në hapësirat e Presidencës, duke shprehur mirënjohje për presidenten për realizimin e kësaj kërkese.
Përmes një reagimi, Abdullahu ka bërë të ditur se disa ditë më parë i kishte drejtuar presidentes një propozim për vendosjen e simbolit të UÇK-së në institucionin më të lartë të shtetit.
Reklamë
Ai tha se kishte qenë i bindur që presidentja do t’i përgjigjej pozitivisht kësaj kërkese, duke theksuar se vlerësimin për të nuk e kishte krijuar nga njohjet personale, pasi siç tha, ata nuk njihen, por nga përshtypjet që kishte marrë përmes bashkëpartiakëve të tij dhe bashkëpunimit të tyre të mëhershëm me të.
“Ju falemnderit Presidente Pak ditë më parë ju shkruajta, konkretisht ju propozova që në hapësirat e Presidencës ta vendosni flamurin (logon) e UCK-së. Ju e bëtë këtë për çka ju jam shumë mirënjohës. Do të jem i sinqertë, e kam ditur se do ta bëni një gjë të tillë. Jo pse bindjet e mija janë ndërtuar nga njohjet që kemi pasur, sepse nuk njihemi, por nga mënyra si një pjesë jo e vogël e bashkëpartiakëve të mi ju tipizojnë e si ju vlerësojnë bazuar nga puna dhe veprimtaria e përbashkët që keni pasur me ta”, shkroi Abdullahu.
Tutje, zëdhënësi i PDK-së ka kundërshtuar vlerësimet se vendosja e këtij simboli përbën vetëm një veprim simbolik. Sipas tij, rëndësia e këtij akti duhet të shihet edhe në raport me zhvillimet e ardhshme dhe qëndrimet institucionale ndaj çështjeve që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë.
Abdullahu ka zbuluar gjithashtu se një propozim të ngjashëm ia kishte bërë edhe ish-presidentes Vjosa Osmani disa vite më parë, por sipas tij, kërkesa e atëhershme nuk ishte marrë parasysh.
“Për ata që mendojnë se ky akt s’është gjë tjetër vetëm simbolikë ju tregoj se kjo nuk është aspak e saktë për shumë arsye, sado që mbetet të shihet edhe puna e ardhshme në shumë dimensione edhe në atë në raport me Specialen në Hagë. Sa për kuriozitet dhe për të treguar se ky veprim i juaji nuk është vetëm simbolikë po u tregoj se para disa viteve të njëjtin propozim ja kam bë edhe ish Presidentes Osmani. Kam qenë pothuajse i bindur se ajo këtë propozim do ta anashkaloj, ashtu edhe ndodhi. Prandaj falemnderit falem respektit dhe falem përkushtimit të juaj që shpresoj nuk do të mungoj”, deklaroi Abdullahu.
Reklamë







