Kalo te përmbajtja
Të fundit

Muhaxheri para Komisionit Hetimor: Arlinda Zekaj s’ka kërkuar asnjëherë strehim për vete, por vetëm për fëmijën

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Muhaxheri para Komisionit Hetimor: Arlinda Zekaj s’ka kërkuar asnjëherë strehim për vete, por vetëm për fëmijën

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se e ndjera Arlinda Zekaj nuk kishte kërkuar asnjëherë strehim për vete, por vetëm për fëmijën e saj.

Këtë deklarim ai e bëri gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor Parlamentar, ku u pyet për veprimet e institucioneve komunale dhe përgjegjësinë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Reklamë

I pyetur nga deputetja e PDK-së Besa Kabashi-Ramaj nëse pas vrasjes kishte kërkuar vlerësim të shërbimeve komunale dhe çfarë mekanizmash do të përdorte për të adresuar mangësitë, Muhaxheri foli edhe për rekomandimet e Ministrisë, të cilat tha se Komuna ka nisur t’i zbatojë dhe se janë drejt përfundimit.

“Ne e kemi mirëpritur raportin e ministrisë, rekomandimet janë për kryetarin, jo për QPS-në, unë kam filluar t’i zbatojë, gati jam në përfundim”, tha ai.

Ndërsa, deputeti Burim Ramadani e pyeti nëse kishte pasur ndërhyrje politike, institucionale a individuale.

“Është diskutuar edhe për ndërhyrje nga jashtë qofshin politike, insitucionale, individuale apo biznesore. A mund të na thoni nëse keni ndonjë dyshim apo vlerësim qoftë për ndërhyrje nga ju apo të tjerët se kush janë të fortit e Dukagjinit”, pyeti ai.

Muhaxheri tha se nuk ka dëgjuar për raste të tilla.

“Asnjëherë nuk kam ndier për kësi raste. Kemi një rast më të rendë, nuk ka pasur ndërhyrje as aty, atë e keni menaxhuar, nuk kemi lejuar që të ndodhë diçka”, tha ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani, e pyeti se cilat rekomandime të Ministrisë ishte duke i zbatuar.

Muhaxheri tha se rekomandimet përfshinin masa ndaj dy zyrtarëve dhe drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Pejë.

“Janë tri rekomandime për një zyrtare Toska Gega me qitë në komision, për Durimin Kelemendi dhe një për drejtoreshën me larguar nga Qendra për punë sociale në një vend tjetër. Ata kanë shkuar në Komision disiplinor dhe për ankesa”, tha ai.

I pyetur nga deputeti Eman Rrahmani për dy rastet e tjera të cilat i kishte përmendur, Muhaxheri tha se në njërin rast viktimës i ishte siguruar strehim dhe mbrojtje, ndërsa në rastin tjetër bëhej fjalë për një ngjarje që kishte ndodhur pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

“I kanë vendosur shenjën për mos me iu afruar viktimës. Ndërsa viktimës po ia paguajmë qiranë për ta strehuar. Nuk e kemi lënë me u kthye viktimën me shkuar në shtëpi të nënës se edhe aty e ka sulmuar. Ka ndodhur pak para vrasjes së Arlindës dhr rasti i dytë pas Arlindës”, tha ai.

Muhaxheri theksoi se Arlinda Zekaj nuk kishte kërkuar strehim për vete, por vetëm për fëmijën e saj.

“Arlinda nuk ka kërkuar strehim asnjëherë vetëm fëmijën e saj”, tha Muhaxheri.

Deputeti i LVV-së, Armend Baloku, e pyeti Muhaxherin nëse e njihte familjen Sylaj dhe Jeton Sylajn.

Reklamë