Që nga dje segmenti rrugor këtu në rrugën “Dardania”, në Fushë Kosovë është kthyer në një shëtitore për lëvizjen e lirë të këmbësorëve, ndërkohë për automjete është i ndaluar nga ora 20:00 deri në mesnatë.
Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli tha se kjo po bëhet me qëllim që të kenë mundësi më të madhe qytetarët që të kalojnë kohën jashtë në hapësirat publike.
“Disa vite radhazi kjo rrugë i plotëson kushtet që qytetarët ta shfrytëzojnë atë në orët e vona të mbrëmjes për ecje”, tha zëdhënësi në Komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli.
Teksa shenja e vendosur ndalon lëvizjen e automjeteve përfshirë edhe taksitë, Topalli tha se të drejtë qarkullimi kanë autoambulancat në rastet urgjente.
“Taksitë tani do të jenë në rrugët periferike, anësore ku do të punojnë në atë pjesë, ndërkohë kjo rrugë lejohet vetëm për autoambulancat në raste emergjente”, tha Topalli.
Ky vendim po mirëpritet nga qytetarët.
“Është shumë e qëlluar, mendoj se ksi ka vetëm në Fushë Kosovë. I përshtatet si të rejave e të rinjëve e po ashtu edhe të vjetërve”, tha një qytetar.
Por një qytetar thotë se ka raste kur ky vendim shkelet.
“S’respektohet edhe pse është shëtitore, hyjnë knena e andej kush se kqyr shenjën”, tha një tjetër qytetar.
Ndryshe, nga Komuna e Fushë Kosovës bëjnë të ditur se policia do të jetë prezentë për mbarëvajtjen e sigurisë në atë pjesë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: