Kongresisti amerikan propozon amendament për ta bërë anëtarësimin e Kosovës në NATO prioritet të SHBA-së
Kongresisti republikan Brian Mast ka paraqitur një amendament në Kongresin amerikan, i cili synon ta vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës së Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Kjo nismë, e mbështetur edhe nga kongresisti Keith Self, është cilësuar nga organizata “Albanians for America” si ndër zhvillimet më të rëndësishme për rajonin që nga viti 2002.
Amendamenti përfshin disa pika kyçe, si: prioritet në emërimin e ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit, mbështetje të qartë për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në NATO, si dhe rekomandime për forcimin e sigurisë energjetike rajonale – përfshirë zgjerimin e rrjeteve të tubacioneve në Kroaci dhe zëvendësimin e energjisë ruse me burime alternative.
Gjithashtu, nisma parasheh mbështetje për implementimin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në Kosovë, inkurajimin e Shqipërisë dhe Kosovës për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s. Një element tjetër është vazhdimi i programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare, duke përfshirë pajisje moderne inspektimi në pikën kufitare të Merdarit me Serbinë për të parandaluar trafikun e armëve të paligjshme.
Organizata “Albanians for America” e ka përshëndetur këtë hap, duke e quajtur “historik” dhe duke theksuar se për herë të parë pas dy dekadash, Kosova dhe Ballkani Perëndimor po vendosen në prioritet të politikës amerikane.
Amendamenti është pjesë e një procesi ligjor që duhet të shqyrtohet nga komisionet përkatëse dhe më pas të votohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Vetëm pas miratimit në të dyja dhomat, ai mund të hyjë në fuqi si pjesë e ligjit ose udhëzimit zyrtar të politikës së SHBA-së.