Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u zotua të premten se vendi do të angazhohet me aleatët që procesi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe tërësisë tokësore të Kosovës.
Ajo i bëri këto komente pas takimit të parë me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, gjatë të cilit siç thuhet në njoftim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.
Takimi u zhvillua gjatë konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë, në kuadër të të cilës, zoti Sorensen takoi ndarazi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Për të ecur përpara me marrëveshjen e Ohrit nevojitet nënshkrimi saj, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq”, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrit Kurti.
Këto takime ndodhin në një periudhë të rëndësishme, pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, rezultatet e të cilave pritet të kenë ndikim edhe në ritmin e dialogut.
Pesë ditë pas zgjedhjeve të së dielës, Komisioni Qendror po vazhdon procesin e numërimit të votave mes kritikave për vonesa dhe problemeve që u shfaqen në faqen internetit të këtij institucioni gjatë publikimit të rezultateve të partive politike.
Ndërsa vazhdon numërimi i votave vëzhguesit thonë se rezultati i zgjedhjeve ka lënë të hapura shumë mundësi për formimin e qeverisë së re të vendit. Nëse lëvizja Vetëvendosje, e cila ka numrin më të madh të votave, nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë me deputetët e pakicave.
“Ne vërtetë e kemi një fitues në kuptimin e lëvizjes Vetëvendosje si e para por njëkohësisht edhe partitë opozitare bashkërisht janë me numër më të madh, pra kemi dy fitues relativ. Ajo që mendoj që do të ishte më e mira të ndodhte është një qeveri e qëndrueshme e cila do të mund të përballet me sfidat që janë përpara veçanërisht në kontekstin ndërkombëtar”, tha analisti Agon Maliqi tha në një bisedë me Zërin e Amerikës.
Zoti Maliqi thekson se qeveria e re duhet të ndjek një rrugë tjetër nga katër vitet e fundit në rrafshin ndërkombëtar.
“Pikë së pari që sinjalizon një lloj dëshire dhe vullneti për të punuar shpejt në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që nuk flet për luftë dhe që nuk merr masa që shihen si destabilizuese nga ana e NATO-s sepse lloji i administratës amerikane që është tani në pushtet por edhe fakti që Kosova nuk i ka punët mirë as me aleatët e saj në Evropë, nuk ja jep Kosovës luksin të bëhet palë që shihet si problematike. Kosovës i duhet një qeveri që e ndërmerr nismën menjëherë për të riparuar me SHBA-të”, tha ai.
Zoti Maliqi vlerëson se Kosova aktualisht është një faktor i shpërfillur që rrezikon ta marrin me vete dinamikat ndërkombëtare pa u dëgjuar zëri i saj.
Skenarët e mundshëm të formimit të qeverisë së re që përfshijnë lëvizjen Vetëvendosje me pakicat joserbe apo partitë opozitare të bashkuara, nuk ofrojnë fuqinë e duhur vendimmarrëse përballë këtyre dinamikave thotë ai.
“Është e qartë se në asnjërin prej këtyre skenarëve nuk sigurohet dy e treta dhe nuk sigurohet vazhdimësia e qeverisë pas skadimit të mandatit të presidentes. Pra për tema të mëdha do të ishte mirë të krijohet një qeveri e fortë. Por jashtë kësaj nëse nuk ka mundësi për tu krijuar një qeveri të tillë dhe palët janë aq larg rreth një vizioni të përbashkët rreth kësaj atëherë gjithsesi skenari më i keq do të ishte përsëritja e zgjedhjeve. Në këtë rast edhe një qeveri që krijohet dhe zgjat aq sa zgjat do të ishte më mirë sesa të futemi në një lloj situate ku nuk ka asnjë adresë të përgjegjësisë”, thotë ai.
Procesi i ngecur i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit pritet të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë se re, krahas përpjekjet për ripërtëritjen e marrëdhënieve me fuqitë perëndimore, të cilat e kanë kritikuar qeverinë e Kryeministrit Kurti për veprimet e saj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur dy vjet më parë, sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës./VOA/