Profesori amerikan dhe njohësi i rrethanave politike e të sigurisë në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer, teksa ka komentuar shkrimin e New York Times për lidhjet e presidentit të Serbisë me botën e krimit, ka kritikuar perëndimin, meqë sipas tij po dëshirojnë që në rajon të vendoin paqe përmes shfrytëzimit të nacionalistëve.
Serwer ka thënë se administrata e Joe Biden anon me qëndrime positive ndaj Beogradit pavarësisht çfarë ndodh.Sipas tij perëndimorët po e mashtrojnë veten dhe shton se këtë po e bëjnë me qëllim.
“Zyrtarët perëndimorë janë duke mashtruar veten dhe këtë po e bëjnë për një qëllim. Ata kanë hequr dorë nga demokracia liberale në Serbi, në Kosovë, në Bosnje, në përgjithësi në Ballkan. Dhe ajo që ata po bëjnë është të përpiqen të përdorin nacionalistët për të ruajtur paqen, në thelb, për të stabilizuar rajonin. Kjo është një ide që ka ekzistuar gjithmonë në Perëndim, por është bërë shumë e spikatur në administratën e presidentit Biden dhe ajo anon shumë drejt të qenit pozitiv për Beogradin, pa marrë parasysh çfarë ndodh”, ka thënë për Zërin e Amerikës, profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer.
Derisa gazetari amerikan Robert F. Worth thotë se ka serbë që mendojnë se situata në përgjithësi është edhe më keq se sa në kohën e Slobodan Milosheviçit.
“Disa serbë më ka thënë që në disa forma situata është më keq se si ishte në kohën e Millosheviçit. Drejtësia është më e politizuar se sa ishte në atë kohë. Nuk ka luftë civile të përgjakshme më dhe kjo është një gjë e mirë, por Serbia tani është një vend ku policia, në disa nivele dhe në kohëra të ndryshme ka qenë e përfshirë në aktivitete kriminale”, thotë gazetari Worth./VOA/