Ibrahim Cërvadiku vendos në minutat shtesë, Feronikeli ’74 mposht Ballkanin dhe arkëton tri pikë të mëdha

Feronikeli ’74 ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj Ballkanit, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në përballjen e vlefshme për javën e 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra nga Drenasi po vazhdon formën pozitive në kampionat, pasi pas fitores ndaj Dukagjinit dhe barazimit me Malishevën, ka arritur të marrë edhe një rezultat të madh, këtë herë përballë një prej skuadrave pretendente për titull.
Reklamë
Pjesa e parë e takimit u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat. Pavarësisht disa tentimeve në të dyja portat, rrjetat mbetën të paprekura dhe ekipet shkuan në pushim me rezultatin 0-0.
Edhe në pjesën e dytë vazhdoi rivaliteti në fushë, por me më shumë raste shënimi dhe lojë më dinamike. Megjithatë, vendasit u treguan më të rrezikshëm dhe vazhduan të kërkonin golin e fitores.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, në minutat shtesë Ibrahim Cërvadiku u shfaq në skenë, duke realizuar një gol të bukur dhe duke i dhuruar Feronikelit ’74 tri pikë të arta.
Pas këtij triumfi, Feronikeli ’74 ngjitet në pozitën e shtatë me 15 pikë, ndërsa Ballkani mbetet në vendin e katërt me 19 pikë.
Në xhiron e ardhshme, drenicasit do të përballen në udhëtim me Dritën, ndërsa Ballkani do të jetë nikoqir i Gjilanit.
Reklamë







