Raporti: Fatlum Jashari
Mungesa e vullnetit politik për zbatim të marrëveshjeve, në vlerësimin e profesorit amerikan për politikë të jashtme dhe menaxhimin e krizave, Daniel Serwer, përbën problemin kryesor në dialogun Kosovë – Serbi, për më se një dekadë.
Në një diskutim në Prishtinë, profesori Serwer theksoi se dialogu në nivel teknik prodhoi më shumë rezultate sesa ai në nivel politik.
“Edhe progresi më i hershëm është kthyer prapa. Beogradi me zotimet e vitit 2013, komuniteti në komunat me shumicë serbe kreu bojkot, Serbia bëri gjithçka që të pengojë njohjen e Kosovës dhe të pengojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Prishtina nuk ka bërë asgjë për të implementuar zotimin e vet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Marrëveshjet janë për dy palët”, tha Serwer.
Serwer kërkoi që Serbia t’ia dorëzojë Kosovës përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë, Milan Radoicic.
Mosbesues për mundësinë e ndryshimit të Serbisë u shpreh ish-kryediplomati i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
“Nuk mendoj që Vuçiqi ka vullnetin dhe besimin në këtë proces dhe nuk mendoj se është i nxitur të shkojë para”, tha Bushati.
Në kontekst të marrëdhënieve të ndërsjella me SHBA-në, profesori Serwer vlerësoi se rizgjedhja e Joe Biden do të ishte më mirë për Kosovën.
“Gjëja më e mirë për zgjedhjet amerikane është se askush nuk i di rezultatet derisa të përfundojnë zgjedhjet. E dimë dallimin mes Bidenit dhe Trumpit për Ballkanin. Bideni e ruan integritetin e shteteve. Trumpi dallon. Ka negociuar me Thaçin dhe Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Por jo vetëm për ndarjen e Kosovës. Po të ndahej Kosova, Bosnja do të ishte në rrezik, Mali i Zi po ashtu, madje edhe Maqedonia. Unë mendoj që Bideni do të ishte shumë më i mirë sesa Trumpi sa i përket Ballkanit”, tha Bushati.
Pjesë e panelit të diskutimit ishte edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, dhe aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko.