Posti i trajneri të Kombëtares së Kosovës tashmë është i lirë. Megjithëse Trajneri francez Alain Giresse është shkarkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës pak orë pas humbjes së papritur nga Bjellorusia në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian 2024.
Duke e vlerësuar si të duhur vendimin e FFK-së për t’i ndarë rrugët me Giressen, analisti Genc Sermaxhaj, thotë për KosovaPress se gabimi i madh nga federata u bë në momentin e emërimit të francezit në krye të Kosovës.
“E dimë që shpresat e të gjithëve kanë qenë që Kosova të ketë paraqitje dhe rezultate më të mira në Euro 2024 duke i parë edhe kombëtaret e tjera të cilat ishin në grup, mirëpo maksimumi i përfaqësueses sonë ishte kaq duke u bërë disa gabime që nga fillimi, së pari me përzgjedhjen e trajneri Giresse të cilin krerët e federatës e përzgjodhën që ai të jetë në krye të përfaqësueses dhe më pas gabimet e tij në idenë, lojën, përzgjedhjen dhe në ekipin startues dhe ata që i kanë zëvendësuar startuesit”, tha Sermaxhaj.
Sermaxhaj e konsideron si të vonshëm ndërprerjen e bashkëpunimit me Giressen, pasi, sipas tij, ai është dashur të largohet menjëherë pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve vitin e kaluar.
“Në fakt është dashur që në fillim të shihet profili i trajneri dhe të vendoset për të se a duhet të jetë përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës apo jo. Më pastaj është dashur që rezultatet e tij të shihen mirë në Ligën e Kombeve sepse mendoj që aty trajneri është dashur të shkarkohet që të mos vazhdohet me të për kualifikimet e Euro 2024 sepse edhe aty Përfaqësuesja e Kosovës nuk ka pasur nuk ka pasur paraqitje dhe rezultate të mira, nuk ka pasur lojë të mirë e as përzgjedhje të mirë të futbollistëve dhe të gjitha këto kanë bërë që, sipas meje, me të nuk është dashur të vazhdohet në kualifikimet e Euro 2024”, theksoi Sermaxhaj.
Në lidhje me përzgjedhjen e re që duhet ta bëjë Federata e Futbollit, Sermaxhaj thotë se edhe më tutje nuk është koha që një trajner vendor të jetë në krye të ekipi përfaqësues, por duhet një trajner i kalibrit evropian, me ide të futbollit modern.
“Unë nuk mendoj që është koha ta kemi një trajner vendor për të ardhmen sepse, pa dashur t’i nënçmoj, unë e di që kemi trajner të mirë në futbollin tonë, por, për nivelin e futbollistëve që ne e kemi, mendoj që duhet të jetë një trajner ri, një profili evropian, një trajner që është me ide të reja të futbollit modern… Unë mendoj që një profil i trajnerit inteligjent, trajner ri cili ka kohë për të përzgjedhur futbollistët, një trajner i cili mbase jo shumë ta njohë mentalitetin tonë, por e rëndësishme është ta njeh lojën e futbollit, metodat e reja, siç aplikojnë trajnerët e mëdhenj si Guardiola, Klopp e Tuchell, pra një trajner bashkëkohor”, tha Sermaxhaj.
Për rezultatet negative të Kosovës në kualifikimet për Euro 2024, Sermaxhaj ka fajësuar edhe lojtarët, duke thënë se ata nuk kanë treguar vullnet dhe dëshirë për të fituar.
“Natyrisht se edhe futbollistët kanë një pjesë të përgjegjësisë për mos rezultatet e mira, sepse ata janë që performojnë në fushe me udhëzimet që i jep kryetrajneri. Por tani, këta janë futbollistët që i kemi, e më të mirë se këta nuk kemi. Kështu që është rrezik i madh nëse mendohet që të startojnë apo të luajnë dikush tjetër sepse këta i kemi më të mirët. Është një problem, por një ide e re, një mënyrë e re e lojës, një nxitje më e madhe për angazhim, për dëshirë për fitore,, për ta djersitur fanellën e Kosovës, mendoj se mund të kemi rezultate më të mira në të ardhmen.”, tha Sermaxhaj.
Sa i përket trajneri të ri, FFK nuk ka bërë të ditur se kur do ta emërojë atë, por se ka paralajmëruar reforma të thella brenda kombëtares. /kp