Këngëtarja e njohur Selvije Jao ka thyer më në fund heshtjen, duke konfirmuar për publikun se është ndarë nga partneri i saj, Shpat Kasapi. Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se ndarja ka ndodhur prej disa muajsh dhe se tashmë do të ndjekë rrugë ligjore ndaj atyre që po cenojnë privatësinë e saj.
Prej javësh, në rrjetet sociale qarkullonin thashetheme për një krizë në çift, por as Selvije e as Shpati nuk kishin reaguar. Këngëtarja shpjegoi se ka zgjedhur të heshtë për shkak të ndjeshmërisë së situatës, por tashmë ndjeu nevojën të sqarojë publikisht:
“Nuk kam folur asnjëherë publikisht për ndarjen me Shpatin, por e shoh që njerëzit kanë kaluar çdo kufi që unë mund të toleroj.”
Në postimin e saj, Selvije konfirmoi përfundimisht ndarjen:
“Unë dhe Shpati jemi të ndarë prej më shumë se 6 muajsh. Çdo gjë që bëjmë është vetëm për Roelin, me mirëqenien e një engjëlli që në këtë mes nuk ka asnjë faj. Nuk e kemi më në plan të jemi çift, sado e dhimbshme të tingëllojë, ndoshta për ne ky është vendimi i duhur.”
Ajo shtoi se mes tyre mbetet respekti dhe mirënjohja për vitet e kaluara bashkë:
“Ai do të mbetet njeriu më i afërt për mua, me të cilin kemi ndarë një copë bukë dhe kemi një fëmijë bashkë.”
Në fund, këngëtarja i është drejtuar ndjekësve me një apel për respekt dhe maturi:
“Ajo që më pengon janë njerëzit që kanë kaluar çdo limit me mesazhe, komente dhe shtirjen sikur jam unë. Çdo cenim i privatësisë do të ndiqet ligjërisht, gjithçka është lënë në duart e organeve kompetente.”
Me këto fjalë, Selvije kërkoi që publiku të respektojë vendimin e saj dhe të Shpatit, duke kujtuar se përtej çdo lajmi, qëndron një familje dhe një fëmijë që meriton qetësi.