Përgatiti: Fatlum Jashari
Java e ardhshme mund të jetë vendimtare në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të finalizuar dokumentin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.
Në takimin e së martës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojnë diskutimet për finalizimin sekuencimit apo renditjes së obligimeve për zbatim.
“Zbatimi i përgjithshëm asaj që quhet marrëveshje e Ohrit është një nga çështjet më urgjente dhe, sigurisht, aspekte individuale të kësaj çështjeje do të preken nga palët dhe lehtësuesi”, ka thënë zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.
Përmbyllja e dokumentit ose një dakordim për të, do t’i hapte rrugë përfshirjes në konkluzionet e Këshillit Evropian, në takimin që mbahet më 21 dhe 22 Mars.
Përfshirja e planit të sekuencimit në konkluzione, sipas profesorit Dritëro Arifi, do t’i jepte fund diskutimeve dhe do të kthente vëmendjen te zbatimi.
“Bashkimi Evropian është duke punuar mbi këtë çështje, mbi bazën e sekuencimit, që palët ta zbatojnë marrëveshjen nga ajo që BE-ja do të prezantojë, po besoj shumë shpejt. Prandaj mendoj që palët nuk kanë shumë hapësirë për të manovruar. Por, sa do të jetë BE-ja në gjendje që t’i detyrojë palët të bëjnë, kjo është çështje krejt tjetër”, tha Arifi.
Pasi përmendi se marrëveshja bazë dhe shtojca, veçse janë pjesë e konkluzioneve të Këshillit, konsulenti politik Fitim Mulolli theksoi se përfshirja e dokumentit të sekuencimit do të rriste presionin për zbatim.
“Me këtë synohet të betonizohet ose të forcohet sa ma shumë rëndësia e këtij dokumenti për zbatim nga palët dhe që pastaj BE-së t’i jepen mundësi të kushtëzimit të rrugës drejt BE-së me zbatimin e këtyre dy dokumenteve”, tha Mulolli.
Vitin e kaluar, Kosova kishte refuzuar planin e propozuar të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës, duke kritikuar BE-në për qasje jo të balancuar.
Në nëntor, BE-ja u prezantoi kryenegociatorëve një draft-plan i ri, i cili sipas Qeverisë ishte më i mirë se parapraku, por që nuk është finalizuar ende.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: