Seanca për Kosovën në PE, eurodeputetët kërkojnë sanksione ndaj Serbisë

Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) të martën, ku u diskutua për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh javë më parë në veri të vendit.

Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërkoi masa ndaj Serbisë, duke e cilësuar si terrorist sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha Picula.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq – ish-kryetari i dorëhequr tashmë i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjet e Beogradit zyrtar – por Kosova ngul këmbë se shteti serb qëndron pas sulmit.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të vendosë masa të ngjashme ndaj Serbisë siç bëri kundër Kosovës muaj më parë. BE-ja kishte vlerësuar se Kosova nuk i kishte ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

Deputetja gjermane Viola von Cramon – e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE – tha se sulmi “brutal dëshmon se nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Evropë.”

Ajo nënvizoi se lidhjet e Radoiçiqit me Beogradin zyrtar “janë më se evidente”, dhe se Serbia “menjëherë” duhet t’i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri me Kosovën.

“BE-ja dhe NATO-ja duhet të dalin me plan të ri për Kosovën. Gjermania duhet ta ndjekë shembullin e Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Kosovë“, tha ajo, duke iu referuar vendimit të javës së kaluar të Britanisë së Madhe për dërgimin e 200 trupave shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Eurodeputeti holandeze Thijs Reuten kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Vuçiq”.

“Vuçiqin duhet ta ndalim sepse ai nuk ndalet vetë. Nëse një herë e tolerojmë e nuk e ndalim, herën tjetër shkon një shkallë më larg. Krejt çka BE-ja ka bërë është sanksionimi i Kosovës“, theksoi ai duke kërkuar masa ndaj Serbisë.

Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon. Disa deputet bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Disa eurodeputetë madje kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Ata e kritikuan BE-në për “përdorimin e një politike të butë” ndaj Serbisë, për trajtimin e Vuçiqit si mik, duke i dhënë fonde dhe duke hezituar ta dënojnë pushtetin e tij.

Komisioneri për çështje humanitare, Janez Lenarçiq foli në emër të Komisionit Evropian në mungesë të përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, i cili ishte në udhëtim zyrtar.

Ai e kritikoi Serbisë për veprimet pas sulmit të 24 shtatorit, e cila i lartësoi tre sulmuesit serbë që u vranë pasi e sulmuan Policinë e Kosovës dhe shpalli zi për ta.

“Retorika nga Beogradi pas ngjarjeve të 24 shtatorit është shumë shqetësuese. Sikur edhe mbajtja e zisë për sulmuesit e vrarë. Edhe rritja e pranisë ushtarake në jug të Serbisë është shqetësuese“ tha ai.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA