SBASHK-u derisa ka përkrahur vendimin për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri me 12 janar, por thekson se kjo situatë me përmbytjet dëshmon se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
SBASHK-u në një reagim ka bërë thirrje urgjente që të bëhen inspektime në të gjitha shkolla, vlerësim real sanim i menjëhershëm të dëmeve dhe transparencë institucionale. Po ashtu ata kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi.
Reagimi i plotë:
REAGIM i SBASHK-ut
Reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë krijuar rrezik serioz për sigurinë në shumë shkolla dhe për familjet e punëtorëve të arsimit. Kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
SBASHK-u përkrah vendimet e disa drejtorive komunale të Arsimit, si edhe vendimin e MASHTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Megjithatë, shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.
SBASHK-u KËRKON URGJENTISHT:
Inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat;
Vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore;
Sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit;
Transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Në veçanti kërkojmë inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, si:
Drenasi, Malisheva, Suhareka, Fushë-Kosova, Klina, Gjakova, Dragashi dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze.
PARALAJMËRIM SINDIKAL:
SBASHK-u nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK-u do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.
Siguria nuk negociohet.
SBASHK-u, në mbrojtje të punëtorëve të arsimit.






