Shpesh herë ne mendojmë që mësimet mbarojnë sapo të mbarojmë shkollat a po universitetet, por kjo qëndron, sepse mësimi është një proces që nuk mbaron kurrë.
Për të diskutuar rreth çështjes se sa është e nevojshme dhe e dobishme të mësuarit gjatë gjithë jetës, të hënën në “LIBERO” ishin të ftuar: Ismet Potera- Drejtor i Institutit Pedologjik të Kosovës, Arbnore Bicaj- Profesoreshë dhe Jeton Brajshori- Sociolog.
Sociologu Jeton Brajshori tha se vetëm studimet themelore nuk na mjaftojnë dhe sa më shumë që mësojmë, do ta shohim se kemi nevojë të dimë akoma më shumë.
“Duhet të jemi më fleksibil, të mos ndalemi asnjëherë dhe të mësojmë vazhdimisht…Çdo mësim i ri na bën më të fortë”, u shpreh Brajshori.
Ndërkohë, shumë hulumtime psikologjike tregojnë se të rriturit kanë më shumë interesim për të mësuar gjëra të reja, në krahasim me fëmijët, e për këtë çështje, Ismet Potera potencoi që fëmijët kufizohen nga sistemet mësimore.
“Të rriturit kanë një qëllim se pse duhet të mësojnë diçka të re, kurse fëmijët jo, ata janë pjesë e sistemit dhe ashtu siç i orienton sistemi ata mësojnë”, tha Potera.
Mes tjerash, sa i përket teknologjisë dhe nevojës që personat në moshë më të shtyrë të mësojnë përdorimin e tyre, përfshirë dhe mësimdhënësit, profesoresha tha se ekziston një lloj frike nga ta.
“Ekziston një lloj frike ndaj gjërave të reja dhe ndryshimit, për të mësuar në vazhdimësi duhet të ballafaqohemi me ndryshime, po i referohem një periudhe personale kur mësimdhënësit e Kosovës iu nënshtruan një programi për rikualifikim, e kam pa një pa siguri dhe hezitim të tyre për të vazhduar të zhvillohen, kanë qenë shumë të konservuar në një model të stërvjetëruar të mësimdhënies”, potencoi Bicaj.
Ndërkaq, u diskutua dhe për mendimin kritik dhe se si shkollat në vendin tonë nuk e zhvillojnë pothuajse fare kureshtjen dhe të menduarit kritik tek nxënësit, e në lidhje me këtë pedagogu tha se ligjërimet e monotonshme nuk zhvillojnë të menduar kritik, e që duhet të ketë më shumë interaktivitet dhe të kërkohet argumentim nga nxënësit.
Kujtojmë se psikologët thonë se njerëzit nuk mësojnë vetëm në shkollë, ata mësojnë në punë, shoqëri dhe madje duke bërë detyra të thjeshta të shtëpisë.
Për ta shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm: