George Russell po përjeton një sezon jo të lehtë në Formula 1, pavarësisht dy fitoreve të arritura deri më tani. Piloti britanik i Mercedes ka folur hapur për presionin, sfidat psikologjike dhe mënyrën se si po përpiqet të rikthejë formën e tij më të mirë.
Sezoni 2026 nuk ka shkuar plotësisht sipas pritshmërive për George Russell. Britaniku ka triumfuar në garat e zhvilluara në Australi dhe Austri, por këto rezultate janë lënë në hije nga paraqitjet e forta të shokut të skuadrës, Kimi Antonelli, ndërsa Lewis Hamilton gjithashtu ka qenë më i qëndrueshëm në kampionat.
Russell e kishte nisur sezonin me synimin për të luftuar për titullin e parë botëror në karrierë, por rezultatet e deritanishme nuk kanë qenë në nivelin që ai shpresonte.
Në prag të rikthimit të Formula 1 në pistën e Zandvoort, piloti i Mercedes ka zbuluar se prej vitesh punon me një psikolog sportiv, me synimin për të menaxhuar më mirë presionin dhe për të nxjerrë maksimumin nga vetja.
“Kam punuar me një psikolog sportiv që nga viti 2020. Qëllimi kryesor ishte të më ndihmonte të jepja më të mirën time, por edhe të mbështesja njerëzit me të cilët punoj, për të menaxhuar më mirë presionin e një fundjave gare dhe për të kanalizuar energjinë time gjatë gjithë sezonit”, deklaroi Russell.
28-vjeçari theksoi se kjo mbështetje nuk është e nevojshme vetëm kur rezultatet nuk janë pozitive, por është pjesë e përgatitjes së tij profesionale.
“Kjo mbështetje nuk është e nevojshme vetëm në momentet më të vështira”, shtoi ai.
Russell foli edhe për njerëzit që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke përmendur të fejuarën e tij, Gwen Lagrue, si dhe drejtuesin e Mercedes, Toto Wolff.
“Jam shumë me fat që kam një grup njerëzish fantastikë pranë meje. Gwen Lagrue dhe Toto Wolff më kanë mbështetur gjithmonë. Kjo më ndihmon, por gjithashtu më kujton atë që jam i aftë të bëj”, u shpreh britaniku.
Piloti i Mercedes beson se rikthimi te sukseset e së kaluarës është një nga mënyrat për të fituar sërish besimin në vetvete.


