10.9 C
Pristina
Saturday, February 7, 2026

Rusia vazhdon fushatën dimërore kundër sistemit energjetik të Ukrainës

Raketa dhe dronë rusë goditën gjatë natës së 7 shkurtit termocentrale dhe rrjete të energjisë elektrike në Ukrainë, duke shkaktuar ndërprerje të njëpasnjëshme të rrymës dhe duke shtuar presionin mbi një rrjet tashmë të goditur nga javë të tëra sulmesh, thanë autoritetet ukrainase.

Ministri i Energjisë, Denys Shmyhal, tha se qeveria ka vendosur ndërprerje emergjente në mbarë vendin të rrjetit të energjisë elektrike.

Kievi po ashtu kërkoi ndihmë emergjente nga Polonia pasi Rusia goditi gjatë natës termocentralet Burshtynska dhe Dobrotvirska në Ukrainën perëndimore.

“Kriminelët rusë kryen edhe një sulm tjetër masiv ndaj objekteve energjetike të Ukrainës. Sulmi vazhdon”, tha Shmyhal në një deklaratë të postuar në Telegram. “Punëtorët e energjisë janë gati të nisin punimet e riparimit sapo situata e sigurisë ta lejojë”.

Sulmi i fundit në shkallë të gjerë ndaj rrjetit të energjisë elektrike të vendit vjen pas javësh goditjesh ruse që tashmë kanë lënë pjesë të vendit, veçanërisht kryeqytetin Kiev, pa energji elektrike, pa ngrohje dhe, në disa raste, edhe pa ujë të rrjedhshëm, ndërsa temperaturat herë pas here kanë zbritur nën minus 20 gradë Celsius.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, sulmi rus përfshiu raketa dhe dronë që shënjestruan qendra kyç të popullsisë në Ukrainën qendrore dhe perëndimore.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha në një deklaratë se goditjet ndaj sektorit energjetik janë pjesë e një fushate më të gjerë nga Moska, e synuar për t’i privuar civilët nga ngrohja gjatë temperaturave të ngrirjes së dimrit.

Dy aeroporte në Poloninë lindore pezulluan përkohësisht operacionet si masë paraprake për shkak të sulmeve ruse në territorin e afërt ukrainas, thanë autoritetet polake më 7 shkurt, njofton rel.

“Në lidhje me nevojën për të siguruar mundësinë e funksionimit të lirë të aviacionit ushtarak, aeroportet në Rzeszow dhe Lublin kanë pezulluar përkohësisht operacionet e fluturimeve”, njoftoi në X Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Kievi është goditur veçanërisht rëndë mes sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike. Më shumë se 1.110 blloqe banimi mbetën pa ngrohje pasojave të një sulmi ndaj kryeqytetit ukrainas javën e kaluar.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më herët bëri thirrje për veprim më të shpejtë në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe riparimin e dëmeve, duke thënë se do të ketë ndryshime në personel në zonat ku mbrojtja ajrore nuk ka funksionuar në mënyrë efektive.

“Komponenti i mbrojtjes ajrore në shkallë të vogël, veçanërisht kundër dronëve sulmues, duhet të funksionojë më me efikasitet dhe të parandalojë problemet që ekzistojnë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përnatshëm me video më 6 shkurt.

Diplomacia për përfundimin e luftës gati pesëvjeçare në shkallë të plotë në Ukrainë vazhdon, me rundin e fundit të bisedimeve këtë javë që solli një shkëmbim të të burgosurve, por pa ndonjë përparim të madh, ndërsa çështja e diskutueshme e lëshimeve territoriale nga Kievi mbetet e pazgjidhur.

Duke folur me gazetarët më 6 shkurt, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se bisedimet në vazhdim mund të çojnë në përparim.

“Bisedime shumë, shumë të mira sot, që kanë të bëjnë me Rusi–Ukrainë”, tha Trump. “Diçka mund ë jetë duke ndodhur”.

Kremlini kishte thënë më herët se një rund i tretë i bisedimeve të paqes duhet të mbahet “së shpejti”, megjithëse ende nuk është shpallur ndonjë datë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

Drenas, babai raporton zhdukjen e vajzës

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA