Lufta në Ukrainë vazhdon të marrë përmasa tragjike me sulme të koordinuara nga Rusia ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike.
Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë natës që lamë pas, rusët goditën masivisht qytetin e Odessës, duke përdorur mbi 60 dronë.
“Ky sulm nuk kishte asnjë kuptim ushtarak, ishte thjesht terror ndaj jetës civile,” tha Zelensky përmes një postimi në Telegram.
Nga sulmet e natës, një person humbi jetën dhe 11 të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe një fëmijë.
Objektivat e goditura përfshinë një maternitet, ndërtesa banimi, biznese dhe infrastrukturë portuale. “Shërbimet tona po punojnë për të ndihmuar aty ku është e nevojshme,” shtoi presidenti ukrainas.
Ndërkohë në veri, në qytetin Kryvyi Rig, dy burra humbën jetën nga sulmet ruse, ndërsa Kievi është kundërpërgjigjur duke goditur një rafineri të madhe nafte në Yaroslavl, në veri të Moskës. Rafineria Slavneft-Yanos, një nga pesë më të mëdhatë në Rusi, ka kapacitet prodhimi mbi 15 milion ton naftë në vit.






