0.7 C
Pristina
Sunday, December 21, 2025

Rryma për veriun: S’ka kompensim për milionat e shpenzuara deri më 2012

Qytetarët e Kosovës e kanë humbur të drejtën e tyre ligjore për kompensim për faturat e rrymës që kanë paguar në emër të banorëve të katër komunave veriore, nga viti 1999 deri më 2012.

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, thotë se kërkesat për kthim borxhi ose dëme të shkaktuara mund të bëhen në mënyrë retrospektive për vetëm pesë vjet – në të kundërtën, afati ligjor për ushtrimin e kësaj të drejte skadon.

Nga 1 qershori i këtij viti do të nisë kompensimi i tyre vetëm për faturat e paguara nga viti 2012 deri më 2017 – proces ky që do të zgjasë deri në vitin 2030.

Ky vendim u mor muajin e kaluar, bazuar në një padi të ngritur nga Avokati i Popullit në vitin 2017.

Me kërkesë të gjykatës, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i obligoi shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike që t’i kompensojnë konsumatorët.

Banorët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – shumica serbë – nuk paguan për rrymën e shpenzuar që nga përfundimi i luftës, më 1999.

Refuzimi erdhi si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që operonin nën dirigjimin e Serbisë.

Deri në fund të vitit 2017, rrymën e shpenzuar në veri e paguan qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët merrnin fatura me rritje.

Nga 2017-ta e këndej – pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe padisë së ngritur nga Avokati i Popullit – përgjegjësia për pagesën kaloi tek Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës, KOSTT, ndërsa subvencione ndau edhe Qeveria e Kosovës.

Në vitin 2022, pastaj, Kosova dhe Serbia u dakorduan për zbatimin e një marrëveshjeje për energjinë, të arritur qysh në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në praktikë, kjo marrëveshje nisi të zbatohej në fund të shkurtit.

Gjykata Themelore në Prishtinë e mori vendimin për kompensim në vitin 2021, me të cilin kërkoi kthimin e mbi 40 milionë eurove te qytetarët e Kosovës.

Vendimi, pastaj, u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, ndërsa në mars të këtij viti edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Qelaj thotë se vendimi i gjykatës për kompensimin e qytetarëve vetëm për pesë vjet u mor pasi që rasti për këtë çështje u ngrit në vitin 2017. Me ligj, kujton ai, periudha retrospektive nuk mund të shkojë përtej pesë vjetësh.

Në vitin 2012, zyrtarë të KEK-ut patën deklaruar pse borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në veri, që nga përfundimi i luftës e deri atëherë, vlerësohej të ishte mbi 100 milionë euro.

Vlera e përgjithshme e faturave vjetore për katër komunat atje, sipas të dhënave zyrtare, arrinte nga 8 deri në 10 milionë euro, raporton REL.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA