Emigrimi e bëri të veten. Rrjedhimisht, edhe banorët e fshatit Kushavec të Gjakovës janë të paktë.
Në fshat jetojnë 120 banorë.
Mirëpo, ndonëse të paktë në numër, banorët e këtij fshati të Gjakovës nuk po gëzojnë rrugë të mira në vendlindje.
“Rrugën e kemi në gjendje të mjerueshme, nga fshati Bishtazhin deri atje lart që lidhet me një fshat tjetër. Na kanë premtuar se do ta rregullojnë, mirëpo deri më tani asgjë nuk është bërë”, tha Prank Kërhani, banor.
Kryetari i këtij fshati, Augustin Topalli, tregon se rruga është asfaltuar në vitin 2004, derisa për asfaltimin e saj kanë investuar edhe vetë banorët.
“Kemi qenë pjesëmarrës për realizimin e këtij projekti, duke participuar me 65 mijë euro. Ndonëse, është një shumë marramendëse, për hir të asaj që të kemi infrastrukturë sa më të mirë për fshatin, e kemi bërë këtë”, tha kryetari i bashkësisë lokale – Bishtazhin, Augustin Topalli.
Mirëpo, gjendja e tanishme e rrugës, sipas tij, është rezultat i mungesës së mirëmbajtjes.
“Në vitin 2004 është asfaltuar, por mirëmbajtja e paktë, të themi, ka bërë që ajo të deformohet dhe siç mund ta shihni, tani gjendja e saj është vërtet mjeruese”, tha Topalli.
Banorët shpresojnë se komuna e Gjakovës do t’iu bëjë zgjidhje.
Pikërisht këtë shqetësim të tyre, ATV-ja e adresoi në komunë.
Ndërkaq, sipas banorëve, edhe fshatrat përreth përballen me probleme të ngjashme. /atvlive.tv