Paraqitjet mbresëlënëse të Donat Rrudhanit dhe Kastriot Imerit nuk kanë kaluar pa u vënë re. Dy futbollistët shqiptarë janë përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit zviceran, pas performancave vendimtare me skuadrat e tyre.
Donat Rrudhani ishte një nga protagonistët në fitoren bindëse 3-0 të Sionit ndaj Luzernit, duke gjetur rrugën e rrjetës dhe duke konfirmuar rikthimin e tij në formën më të mirë. Mesfushori po kalon një fillim premtues sezoni dhe synon që me paraqitjet e tij të bindë përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, për një rikthim në kombëtare.
Edhe Kastriot Imeri vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Young Boys. Mesfushori realizoi gol ndaj ish-skuadrës së tij, Thun, në triumfin spektakolar 6-0 të kampionëve zviceranë. Goli ndaj klubit ku festoi titullin sezonin e kaluar e bëri edhe më të veçantë paraqitjen e tij.
Falë këtyre performancave të nivelit të lartë, Rrudhani dhe Imeri janë përfshirë në formacionin ideal të javës në Superligën zvicerane, sipas vlerësimeve të platformës së specializuar SofaScore.





