​Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të ngadalësohet në vitin 2025

Banka Botërore ka parashikuar se norma e përbashkët e rritjes ekonomike e Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.2% në vitin 2025, që paraqet një ndryshim me 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i mëparshëm.

Derisa rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5% në vitin 2026, raporton KosovaPress.

Kështu vlerëson Raporti i Rregullt Ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, duke bërë me dije se rritja ekonomike në Ballkan parashikohet të ngadalësohet me ritëm të moderuar në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike të krijuar si rezultat i ndryshimeve që po ndodhin në politikat tregtare globale, të cilat mund të ndikojnë në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve.

“Ne po vërejmë disa tendenca pozitive ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të cilat nxjerrin në pah qëndrueshmërinë e rajonit dhe mund të mbështesin rritjen solide të tij. Inflacioni më i ulët dhe rritja e pagave mbështesin konsumin, ndërsa investimet publike po rriten”, ka thënë Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor duke shtuar se nga ana tjetër, po vërejnë rritje të pasigurisë së brendshme në disa nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

“Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian dhe pasiguritë në rritje në tregtinë globale gjithashtu mund të ndikojnë negativisht perspektivën e rritjes ekonomike të rajonit”, tha tutje Xiaoqing Yu.

Sipas këtij raporti pasiguria në tregtinë globale ka gjasë të prekë Ballkanin Perëndimor, kryesisht si rrjedhojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në zonën e euros. Ky ngadalësim sipas raportit mund të zvogëlojë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat.

“Raporti sugjeron se strategjitë më efikase për ruajtjen e stabilitetit ekonomik gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike janë diversifikimi i burimeve të rritjes dhe rinovimi i agjendës së reformave strukturore. Masat kryesore përfshijnë eliminimin e barrierave në tregun e punës – përfshirë ato që prekin gratë – forcimin e integrimit ekonomik rajonal, përmirësimin e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e konkurrencës në treg për të nxitur produktivitetin dhe mbështetur rritjen ekonomike afatgjatë”, thuhet tutje.

Veç kësaj, në raport thuhet se përshpejtimi i zbatimit të reformave të anëtarësimit në BE nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor – siç janë anëtarësimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe vendosja e “korsive të gjelbra” për të përmirësuar tregtinë ndërkufitare – mund të nxisin rritjen e mëtejshme të besimit të biznesit, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.

“Raporti thekson gjithashtu, se si rritja e temperaturave dhe ngjarjet ekstreme të motit, shoqëruar me kalimin drejt një ekonomie me nivele të ulëta karboni, po riformësojnë modelet sektoriale të punësimit në rajon, që kërkon përshtatje të konsiderueshme të forcës së punës. Reformimi i sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve të punësimit duhet të jetë prioritet për të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Kjo do t’i ndihmonte forcat e punës në këto vende të përballojnë ndikimet negative të shkaktuara nga ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet, thatësirat dhe zjarret, si dhe për të qenë të përgatitura për mundësi të reja punësimi si rezultat i tranzicionit të gjelbër”, thuhet në raport.

Forcimi i sistemeve të mbrojtjes së të ardhurave nga puna për t’iu përgjigjur goditjeve ndaj punësimit dhe përmirësimi i fleksibilitetit të sistemeve të mbrojtjes sociale sipas këtij raporti do të ndihmonte në parandalimin e rënies së individëve në varfëri.

Gjithashtu, raportoi bënë me dije se rikualifikimi i punëtorëve për punë të gjelbra do të ndihmonte për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për aftësi, duke nxitur produktivitetin dhe rritjen ekonomike.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA