Qytetarët e Kosovës do të fillojnë nga 1 janari të paguajnë faturat e ujit sipas tarifave të reja të vendosura nga Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit.
Sipas vendimeve të publikuara nga ky Autoritet për kompanitë rajonale të ujësjellësit, tarifat për konsumatorët shtëpiakë janë rritur në të gjithë vendin. Në kryeqytet tarifa për metër kub ka shkuar nga 45 centë në rreth 63 centë.
Në Prizren, tarifa është ngritur nga 40 në 56 centë, në Pejë nga 28 në 39 centë, në Mitrovicë nga 39 në 53 centë, në Gjakovë nga 39 në 52 centë, në Ferizaj nga 39 në 53 centë, dhe në Gjilan nga 39 në 54 centë.
Autoriteti i Rregullatorit për Ujin ka shpjeguar se tarifat janë llogaritur duke marrë për bazë kërkesën për të ardhura dhe duke e pjesëtuar me vëllimin e ujit të shitur.
E kërkesa për të ardhura përbëhet nga tri komponentë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në bazën rregullatore të aseteve.






