Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) ishte më i lartë për 4.7% në shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, pra gusht të vitit të kaluar.
Ndërkohë, inflacioni mujor shënoi një rënie prej -0.2% në krahasim me gushtin 2025. Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimit në disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.
Ndër to, çmimet e pushimeve të organizuara u rritën me 23.1%, biletat e fluturimeve me 22.5%, energjia elektrike me 17.4%, kafeja, çaji dhe kakaoja me 14.2%, si dhe pemët me 13.0%.
Rritje të ndjeshme kanë pasur edhe mishi (12.1%), qumështi, djathi dhe vezët (8.8%), shërbimet hoteliere (8.3%), dhe vajrat e yndyrat (6.8%).
Këto nëngrupe kanë pasur ndikimin më të madh në inflacionin vjetor, me një efekt të përbashkët prej 4.9 për qind në IHÇK.
Në anën tjetër, rënie e çmimeve është regjistruar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -3.1%, duke ndikuar me -0.2 për qind në indeksin e përgjithshëm. Në krahasim me muajin gusht 2025, çmimet mesatare të konsumit në shtator ranë për 0.2%.
Kjo rënie mujore është shpjeguar me uljen e çmimeve te karburantet dhe lubrifikantët (-3.6%), pemët (-2.8%), biletat e fluturimeve (-1.6%), dhe energjinë elektrike (-1.2%).
Megjithatë, disa kategori shënuan ngritje, përfshirë lëndët djegëse të ngurta si druri e peletët (1.4%), qumështin, djathin dhe vezët (1.1%), blerjen e automjeteve (0.6%) dhe shërbimet hoteliere (0.4%). ASK bën të ditur se këto luhatje të çmimeve ndikojnë drejtpërdrejt në normën mujore dhe vjetore të inflacionit, e cila matet përmes indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK).