Si pasojë e përleshjeve që ndodhën të hënën në komunën e Zveçanit, mes ushtarëve të KFOR-it e protestuesve serbë, vlerësohet se u lënduan rreth 50 protestues.
Sipas drejtorit të spitalit të Mitrovicës së Veriut, Zlatan Elek, tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë.
Nga ata 52, tre meritojnë vëmendjen më të madhe, ndër ta është Dragisa Galjak, i cili ka dy plagë me armë zjarri, njëra në pjesën e gjysmës së majtë të legenit dhe tjetra në pjesën e gishtit tregues të dorës së majtë. Ai është i plagosuri më i rëndë dhe aktualisht ndodhet në reanimacion dhe mjekët po luftojnë për jetën e tij, edhe pse ndërhyrja kirurgjikale ka përfunduar”, tha Zlatan Elek, drejtor i spitalit në Mitrovicë e Veriut .
Megjithatë, sipas qytetarëve që panë përleshjet nga afër, numri i të lënduarve dyshohet të jetë më i madh.
Sidoqoftë, në mesin e të lënduarve nuk pati vetëm protestues. Sipas një njoftimi për media nga Misioni i NATO-s në Kosovë, si pasojë e përleshjeve të së hënës në Zveçan u lënduan rreth 30 ushtarë të KFOR-it, 19 nga kontingjenti i Hungarisë, ndërsa 11 nga ai i Italisë.
Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri, Aleanca veri-atlantike, NATO, ka dislokuar forca shtesë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: