​Rrëfimi për sfidat e sportistëve të Kosovës në kohen e okupimit

Mbi 200 mijë fotografi që dëshmojnë vështirësitë me të cilat është përballur sporti kosovar gjatë viteve ‘90-ta, janë ruajtur dhe së fundmi edhe janë shfaqur në një ekspozitë të hapur nga gazetari, Gani Kosumi.

Në një intervistë për KosovaPress, ai rrëfen për sfidat nëpër të cilat kalonin sportistët kosovarë gjatë atyre viteve të cilët përkundër përndjekjeve të shumta nga okupatori, nuk i ndalonin aktiviteteve sportive.

“Duke iu falënderuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një projekt që ka qenë ëndërr e imja që të realizohet, më në fund u realizua sepse ata e mbështetën këtë projekt. Është periudha e mbijetimit të sportit të Kosovës 1991-99. Periudhë kjo e cila ka të bëjë me vështirësitë në të cilat është zhvilluar sporti i Kosovës gjatë kësaj periudhe dhe unë jam munduar që gjatë kësaj kohe të bëjë regjistrime edhe me fotografi që të mbesin dëshmi e kohës sepse në atë kohë zhvillohej sporti në kushte shumë të vështira, rrethana shumë të vështira, jo pse sportistët kosovarë dëshiruan të zhvillojnë aktivitete në rrethana të tilla, por ata u dëbuan nga stadiumet, nga palestrat sportive dhe nuk lejoheshin që të zhvillonin ndeshje sportive”, tha Kosumi.

Derisa tregon për kushtet e rënda në të cilat zhvilloheshin aktivitetet sportive të asaj kohe, Kosumi kujton se si në shumë raste garat sportive ndërpriteshin nga ana e okupatorit serb.

“Në atë kohë ndërpriteshin ndeshjet, nuk lejonin shpesh që lojërat të zhvilloheshin, por megjithatë gjendeshin forma që të zhvilloheshin ato takime dhe ata i kanë zhvilluar ndeshjet në kushte shumë të vështira. Shihni ato fotografitë që shihen futbollistët, diku është marsi i vitit 1997 duke i pastruar këmbët nga balta, në kushte shumë të vështira, në ambient të hapur. Pasi përfundon ndeshja, aty shihet bora, një lum kalon aty dhe mundohen që sa do pak ta heqin baltën nga trupi dhe nuk ka pasur as zhveshtore, asgjë, në ambient të hapur ka ndodhur kjo…Ka pasur shpesh ndeshje që janë ndërprerë, por megjithatë janë gjetur forma që të zhvillohen aktivitetet, nuk janë ndalur ata aktivistë, ata njerëz që e kanë drejtuar sportin, mirëpo edhe sportistët në përgjithësi kanë qëndruar stoik dhe kanë zhvilluar aktivitete sportive”, ka thënë Kosumi.

Shkrepjen e këtyre fotografive me rëndësi historike, Kosumi zbulon se e nisi pasi siguroi një aparat, të cilin ia dërgoi vëllai i tij që në atë kohë vepronte në Angli, derisa shpenzimet i mbulonte nga paga e tij.

“Ishin kushte të vështira sepse unë raportoja për Radiotelevizionin Shqiptar, dërgoja raporte se çfarë po ndodh në sportin e Kosovës dhe kam pasur vëllain në Angli, ma dërgoi një aparat nga atje dhe më lindi ideja që duhet bërë shkrepje në mënyrë që për një moment ta ndalim kohën se çfarë po ndodh me sportin e Kosovës. Kështu fillova dhe dikur edhe u mëshirova me fotografinë sepse nuk ka qenë profesioni im, unë për herë të parë e kam marr aparatin në dorë, pastaj fillova në çdo ngjarje sportive që të shkrep fotografi. Filmat kanë qenë 36 poza dhe duhej që së paku për një ngjarje sportive të blihen së paku tre filma me vete dhe në atë kohë edhe kosto ishte bukur e vështirë për ta përballur, por nga mjetet e mia vetanake. Tre filma kanë mundur të kushtojnë sa 10 euro në ditët e sotme”, deklaroi më tutje Kosumi.

Me fotografi dhe materiale të tilla që mund të mblidhen, gazetari kërkon që të krijohet një monografi e sportit të Kosovës për këtë periudhë të vështirë.

“Numri i fotografive, kam menduar që janë më pak, por duke kontrolluar fotografitë, diku mbi 200 mijë fotografi janë të ruajtura deri më tani, por ka edhe fotografi të tjera që janë konfiskuar, filma, më ndërhyrje të atëhershme të policisë e të gjitha këto, por fatmirësisht është mirë që kanë mbetur këto materiale sepse është një aset për sportin e Kosovës…dhe mendoj se është kjo periudhë që duhet ndriçuar dhe duhet të merret me studime sepse sot e kësaj dite nuk e kemi një monografi të sportit të Kosovës dhe duhet menduar edhe në atë drejtim.”, ka theksuar Kosumi.

Duke lënë prapa një periudhë kaq të vështirë, Kosumi vlerëson se arritjet e sportit kosovarë në ditët e sotme janë tejet të mëdha, me sporte si xhudo, karate, boksit e të tjera, që kanë sjellë në vendin tonë medalje evropiane e botërore.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA