AKADEMIK, PROF. DR. ANASTAS ANGJELI
Ekonomitë e vendeve të Ballkanit janë shumë më të ndërlidhura sesa mund të duket në pamje të parë. Lidhjet tona nuk kalojnë vetëm përmes marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe shifrave të importit dhe eksportit apo turizmit, që tashmë është shndërruar në një sektor të suksesshëm dhe të rëndësishëm në strukturën e ekonomisë sonë, por edhe përmes një rrjeti më të gjerë marrëdhëniesh kulturore, historike, financiare dhe akademike. Ndaj dhe po ndalem në disa nga këto fusha që lidhen me: stabilitetin financiar e monetar, kapacitetin investues dhe vlerën e dijes dhe kapitalit njerëzor ku mendoj se Shqipëria mund të luajë një rol parësor në rajon.
Shqipëria është një rast unik në rajon. Megjithëse monedha jonë zyrtare mbetet leku, një pjesë e madhe e ekonomisë sonë funksionon de facto në euro. Ky fenomen i njohur si euroizim i pjesshëm shumë i diskutuar në literaturë e specializuar shqiptare në konceptin e “Asimetrie Monetare”, paraqet njëkohësisht një dobësi relative, por dhe mundësi absolute shumë të rëndësishme. Po ndalem vetëm në dy të dhëna ne tabelat e publikuara.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rezultojnë si vendet me ekspozimin më të lartë ndaj depozitave dhe kredive në euro. Kjo tregon një mekanizëm të fuqishëm të menaxhimit të sistemeve të tyre financiare në monedha të huaja, e cila i bën ato shumë të ndjeshme ndaj vendimeve të politikës monetare të ECB-së dhe luhatjeve të EURIBOR-it. Bosnja dhe Hercegovina gjendet në një pozicion të mesëm, ndërsa Serbia është një rast i veçantë, me një përqindje dukshëm më të ulët.
Në këtë situatë, që shpesh shihet si sfidë, mund të shihet dhe si një potencial strategjik, që personalisht e konsideroj si mundësi absolute që Shqipëria mund të shndërrohet në një “Pol financiar rajonal”, duke shfrytëzuar lidhjen organike që ekziston tashmë me euron. Përse? Le ta shohim nga një kënd tjetër vështrimi gjithë fenomenin.
Në rajon, Kosova dhe Mali i Zi e përdorin euron zyrtarisht. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë sisteme të ndërmjetme. Shqipëria, me përvojën e saj në menaxhimin e një ekonomie të euroizuar, mund të ofrojë një model të balancuar duke treguar si mund të ruajmë fleksibilitetin e politikës monetare kombëtare, ndërkohë që afrohemi natyrshëm me arkitekturën e Eurosistemit.
Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të bëhet ura monetare midis vendeve, që tashmë janë në orbitën e euros dhe atyre që ende ruajnë monedhën kombëtare. Kjo do të ndihmonte në harmonizimin e rregullave bankare, lehtësimin e tregtisë ndërkufitare dhe forcimin e integrimit financiar të rajonit tonë. Një Shqipëri e fortë financiarisht, me institucione të qëndrueshme, nuk do të ishte vetëm në shërbim të stabilitetit të vet ekonomik, por do të shërbente si “garant i besimit rajonal”, si një “stabilizator monetar” në pritje të integrimit të përbashkët në Bashkimin Europian.
Proceset e modernizimit ekonomik në vendet e vogla dhe të hapura shpesh kërkojnë identifikimin e avantazheve strukturore që mund të shndërrohen në burime konkurruese rajonale. Në rastin e Shqipërisë, dy fusha paraqiten si potencialisht transformuese: sistemi financiar në zgjerim dhe modernizim, i karakterizuar nga përhapja e përdorimit të euros në ekonomi dhe sektori energjetik i mbështetur fort te burimet e rinovueshme, veçanërisht hidroenergjetika. Ndonëse këto dy fusha duken të ndara në mënyrë tradicionale, ndërthurja e tyre strategjike mund të krijojë një model zhvillimi unik, ku stabiliteti financiar dhe kapitali ndërkombëtar shfrytëzohen për të ndërtuar një industri energjetike të qëndrueshme dhe të orientuar drejt eksportit. Në të njëjtën kohë, prodhimi i pastër i energjisë rrit besueshmërinë dhe perceptimin e vendit si destinacion për investimet financiare ndërkombëtare.
Rritja e përdorimit të euros në ekonominë shqiptare ka sjellë një shkallë të lartë stabiliteti monetar. Ky euroizim de facto ka krijuar një mjedis më të parashikueshëm për investitorët e huaj dhe për institucionet financiare rajonale. Nëse ky proces shoqërohet me reforma të thelluara në infrastrukturën financiare, Fintech, digjitalizim të veprimeve bankare deri në Bankë Digjitale dhe sidomos modernizimi i sistemeve të pagesave i realizuar kohët e fundit me platformat europiane si SEPA, “Open Banking” dhe shumë shpejt me sistemin e pagesave TIPS, projekt i BQ Italiane me mbështetje të BQE, (ku Shqipëria është angazhuar e para bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor) dhe zgjerimi i instrumenteve të tregut të kapitaleve, atëherë Shqipëria mund të pozicionohet si nyje financiare në Ballkanin Perëndimor. Të qenit një pol financiar nuk kuptohet vetëm si prania e bankave, por si aftësia për të mobilizuar kapitale afatgjatë, të tërheqë fonde institucionale dhe të krijojë tregje funksionale të reja. Sektori financiar, nëse arrin këtë nivel zhvillimi, bëhet një mekanizëm i rëndësishëm për të mbështetur transformimin energjetik.
Projekte të tilla si parqet diellore (fotovoltaike), turbina eolike, magazinimi i energjisë në bateri, zgjerimi i hidrocentraleve ekzistuese apo digjitalizimi i rrjetit energjetik kërkojnë kapital te konsiderueshëm dhe periudha të gjata kthimi. Këto karakteristika i bëjnë projektet e energjisë së gjelbër ideale për financim përmes instrumenteve si obligacionet e gjelbra, fondet e investimeve të specializuara dhe partneritetet publik–privat. Një vend që funksionon si qendër financiare mund t’i strukturojë këto instrumente në mënyrë më efikase dhe tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë. Për shembull, krijimi i një tregu të obligacioneve të gjelbra në Tiranë do t’i mundësonte vendit të kanalizonte kapitalin global drejt projekteve të energjisë së pastër, duke kombinuar reputacionin energjetik me stabilitetin financiar.
Nga ana tjetër, sektori energjetik shqiptar mbështetet tashmë në një avantazh të rrallë në rajon: prodhimin gati tërësisht të bazuar te burimet e rinovueshme, kryesisht për shkak të hidrocentraleve. Ky profil e vendos Shqipërinë në një pozicion unik për t’u afirmuar si furnizues rajonal i energjisë së pastër, në një kohë kur Bashkimi Europian po orienton gjithnjë e më shumë politikat dhe fondet drejt ekonomive me karbon të ulët. Potenciali për energji diellore dhe të erës mbetet i pashfrytëzuar plotësisht, ndërsa projektet e interkoneksionit me vendet fqinje, përfshirë lidhjet me Italinë, krijojnë mundësi të reja për eksport dhe për stabilizimin e rrjetit energjetik.
Integrimi i dy sektorëve financiarë dhe energjetikë mund të realizohet përmes krijimit të institucioneve të specializuara dhe instrumenteve të dedikuara financiare. Këtu kërkohet nga njëra anë rritja e rolit të sektorit financiar e bankar në fushën e investimeve dhe projekteve të zhvillimit duke pasur në fokus edhe Investimet për Energjinë e Gjelbër, e modeluar sipas praktikave më të mira europiane që do të mund të ofronin kredi të buta dhe do të nxiste partneritete me institucione si EBRD apo BEI, e do të zvogëlonte rreziqet për sektorin privat. Në të njëjtën kohë, emetimi i obligacioneve të gjelbra sovrane do të siguronte burime financimi afatgjata për projekte strategjike të infrastrukturës energjetike. Nga ana tjetër, investimet në këta sektorë dhe ata strategjikë kërkon dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, për të mundësuar një “filtrim” të investitorëve në këto fusha, veçanërisht të burimeve financiare të tyre.
Këto ndërhyrje financiare, të kombinuara me rregullore të favorshme për investimet e gjelbra apo atyre infrastrukturore me Partneritet PublikPrivat dhe me stimuj fiskalë, do të krijonin një ekosistem ku kapitali ndërkombëtar do të drejtohen drejt sektorit energjetik shqiptar.
Nëse Shqipëria ndërmerr reformat e duhura në të dy sektorët, ajo mund të shndërrohet në një pol të dyfishtë financiar dhe energjetik në Ballkanin Veriperëndimor. Kjo do të përmirësonte ndikimin ekonomik rajonal, do të rriste eksportet dhe do të siguronte qëndrueshmëri afatgjatë në zhvillimin ekonomik. Modeli i propozuar synon jo vetëm rritjen e kapacitetit prodhues të energjisë, por edhe transformimin strukturor të ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie të integruar me tregjet europiane dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Në këtë proces që analizova më lart, “Edukimi Universitar” ka një rol jetik. Universitetet shqiptare duhet të përgatisin ekonomistë të gjithanshëm, por edhe ekonomistët e gjelbër të së ardhmes, profesionistë që kuptojnë lidhjen midis financës, energjisë dhe mjedisit, që dinë të projektojnë modele biznesi të qëndrueshme dhe të menaxhojnë riskun klimaterik. Rajoni ynë ka nevojë për një element që unë e quaj “infrastrukturë të butë”, ose më thjeshtë, për një treg universitar rajonal, ku akademikët, studentët, pedagogët dhe kërkuesit të lëvizin lirshëm, të ndajnë programe të përbashkëta, dhe të krijojnë qendra ekselence që bashkëpunojnë ngushtë me bizneset e rajonit. Ky duhet të kthehet si një mision kombëtar. Universitetet shqiptare mund të bëhen “qendra të dijes”, ku formohen brezat e rinj që do të udhëheqin integrimin ekonomik, financiar dhe teknologjik të rajonit. Tiparet e këtyre qendrave duhet të jenë:
1. Ndërveprim midis akademisë, biznesit dhe institucioneve publike.
2. Krijim dhe transferim i njohurive, jo vetëm ruajtja e tyre në nivel kombëtar.
3. Rrjetëzim ndërkombëtar që presupozon bashkëpunim me qendra të tjera të dijes.
4. Një qasje e hapur ndaj informacionit dhe inovacionit.
5. Një ndikim real dhe praktik në zhvillimin ekonomik, social ose teknologjik.
Për mua, ky bashkëpunim universitar nuk është thjesht akademik. Ai duhet të konsiderohet si një investim strategjik në konkurrueshmërinë rajonale, sepse tregjet nuk janë vetëm pronë e mallrave apo e parasë, sot ato janë mbi të gjitha “tregje idesh”.
E ardhmja e rajonit tonë nuk do të përcaktohet vetëm nga marrëveshjet politike apo nga korridoret e transportit. Ajo do të përcaktohet nga “besimi në stabilitetin monetar”, nga “zhvillimi energjetik” dhe nga “hapësira e përbashkët e dijes”. Vetëm kështu duke e parë monedhën, energjinë dhe dijen si tri shtylla të një realiteti të ri, mund të avancojmë drejt një Ballkani Perëndimor më të integruar, më të begatë dhe më europian.
Shqipëria është e përgatitur të japë kontributin e saj në të tria këto fronte, duke ndërtuar ura monetare, energjetike dhe universitare ndërfunksionale, që jo vetëm t’i afrohemi Europës, por të sjellim Europën më afër nesh.






