Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se modeli për luftën kundër korrupsionit ka funksionuar në Shqipëri dhe sipas tij, ky model mund të funksionojë edhe në ndonjë vend tjetër.
Ai tha se Kosova tashmë ka njësi kundër korrupsionit.
“Çfarë do të thosha është ‘përse të mos e fuqizojmë atë çfarë Kosova tashmë e ndërtoi vet’. Mendojmë se kjo mënyrë funksionon dhe këtu do të mund të ndihmonim shumë dhe mendojmë se duhet përkrahur”, tha Robinson.
Ai tha se edhe pse SHBA dhe Kosova janë partnere dhe se jo çdo herë do të pajtohen për gjithçka, por sipas tij, ajo çfarë ka rëndësi është që Kosova të vazhdojë të luftojë për atë që është e drejtë.
“Ne jemi miq, jemi partnerë dhe në mesin e këtyre dyja, jo gjithmonë do të pajtohemi për gjithçka por ajo çfarë ka rëndësi është që të jeni të gatshëm të flisni për këto çështje për shembull lufta kundër korrupsionit dhe duhet pasur marrëveshje në mes të SHBA-së dhe Kosovës por akoma më e rëndësishme në mes të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Andaj derisa të jeni në gjendje të flisni për këto çështje dhe të luftoni për atë çfarë është e drejtë do të arrijmë përparim”, Robinson.
Ndihmëssekretari amerikan foli edhe për takimet e sotme me gjykatës të Gjykates Kushtetuese, presidenten, anëtarë të KGJK-së, duke thënë se SHBA konsideron që është me rëndësi që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Konsiderojmë se është me rëndësi të përkrahen këto institucione të drejtësisë që duan përfundimisht t’i bëjnë jetët më të lehta e më transparente për kosovarët e zakonshëm dhe për këtë jemi këtu andaj duam të jem partner me ju”, tha Robinson. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të ndihmëssekretarit për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson dhënë për emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë: