E ardhmja e Robert Lewandowski te FC Barcelona është vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi interesimi nga Lindja e Mesme po intensifikohet çdo ditë e më shumë.
Sipas raportimeve të mediave polake, gjiganti saudit Al-Hilal ka paraqitur një ofertë zyrtare për sulmuesin veteran dhe konsiderohet favorit për transferimin e tij gjatë verës.
Klubi nga Riadi synon të forcojë repartin ofensiv me një tjetër emër të madh të futbollit botëror, ndërsa burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Lewandowski është afër pranimit të ofertës.
37-vjeçari është lidhur javët e fundit edhe me klube si Juventus FC, AC Milan dhe Chicago Fire FC, por Al-Hilal ka dalë në plan të parë si destinacioni më i mundshëm.
Oferta financiare e klubit saudit konsiderohet marramendëse, pasi Lewandowskit i është ofruar një pagë prej 90 milionë eurosh në sezon për të pranuar transferimin.
Nëse marrëveshja finalizohet, aventura e sulmuesit polak në La Liga do të marrë fund pas një periudhe të suksesshme me Barcelonën.





