Përgatiti: Kastriot Tahiri
Ylber Baleci, ishte vetëm 10 vjeç kur e pa babain e tij për herë të fundit.
Për fatin e Gani Balecit, nuk ditën gjë prej marsit të 1999-ës, kur ai u zhduk nga forcat serbe.
Në atë periudhë Ganiu, po merrte tretman mjekësor në spitalin e Prishtinës, pasi që pësoi aksident derisa po punonte në tokën e tij në fshatin Çikatove e Re, të komunës së Drenasit.
“Ka punua me multikutivator, e kur u shku me i kthy do sene me ja dergu dikujt, u praptu me traktor, në ato momente e kanë taku do mjek e kanë çu në Drenas, masanej e kanë pru te shpija edhe e kanë dërgua në Prishtinë, edhe e kanë shti menjëherë në operacion dhe të nestrmen krisi lufta dhe nuk kemi pas kontakt më të as sen”, tha Ylber Baleci, i biri i Gani Balecit.
Familja Baleci thotë se nuk ndaloi së shpresuari për zbardhjen e fatit të Ganiut.
Eshtrat e tij u gjetën në tëtorin e vitit të kaluar, në lagjen Mati 1 të Prishtinës, ndërsa u vërtetua identiteti, disa muaj më parë. Në atë lokacion, ishte gërmuar katër herë.
“Rikthimi në 2023, Gjatë gërmimeve në muajin maj, kemi hasur në mbejte mortore të një viktimes së luftës, e me që në listen e personave të zhdukur, ishin dy raste që ndërlidheshin më ketë lokacion, u rikthyem në tetor të 2023, u arrit të gjetën edhe eshtra të tjerë që pas analizave u konfirmuan se I përkasin viktimes së luftës Gani Baleci”, tha Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Të dielën u organizua ceremonia e rivarrimit të Gani Balecit. Familjarët thonë se kanë ndjenja të përziera për këtë rast.
“Emocion I gëzueshëm por edhe idhnueshëm, se pas 25 vjeteve po e dijm ku kemi me varros e ku I kemi eshtrat”, tha Ylber Baleci.
Ndërkaq, tash e 25 vjet, familjarët e të pagjeturve ende presin që të zbardhet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës.