Kolegji AAB

Rita Ora para koncertit në Ohër: Mezi pres të këndoj e të vallëzoj me fansat shqiptarë

Ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora, do të performojë më 1 gusht në Ohër, në një prej koncerteve më të afërta të turneut të saj veror për publikun nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe rajoni më i gjerë shqipfolës.

Në një intervistë të shkurtër për Telegrafin, artistja ka folur për emocionet e rikthimit pranë rrënjëve të saj, lidhjen me fansat shqiptarë dhe atë që publiku mund të presë nga performanca e saj në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.

Rita tha se performimi në këtë pjesë të botës ka gjithmonë një ndjesi të veçantë për të, për shkak të historisë së familjes së saj dhe lidhjes që ndien me njerëzit e rajonit.

“Pavarësisht se ku performoj, kthimi në këtë pjesë të botës më jep një ndjesi krejtësisht unike, sepse këtu ka filluar një pjesë shumë e madhe e historisë së familjes sime. Të ndaj muzikën time me njerëz nga i gjithë rajoni, me të cilët ndihem kaq e lidhur dhe që më kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës sime, do të thotë shumë për mua. Mezi pres”, ka thënë Rita Ora.

Duke folur për koncertin në Ohër, ajo premtoi një mbrëmje të mbushur me energji, befasi dhe këngë që publiku i njeh dhe i këndon me shumë entuziazëm.

“Një festë e madhe. Po përgatisim një shfaqje plot energji, me shumë befasi dhe me të gjitha këngët që njerëzit duan t’i këndojnë bashkë. Gjithmonë dua që njerëzit të largohen me ndjesinë se e kanë jetuar vërtet momentin, se kanë kaluar natën më të mirë dhe, shpresoj, edhe të kenë krijuar miq të rinj”, u shpreh ajo.

Rita Ora, e cila prej vitesh ka shprehur publikisht krenarinë për prejardhjen e saj shqiptare, tha se performimi para publikut shqipfolës nga vende të ndryshme të rajonit është gjithmonë emocional.

“Jam jashtëzakonisht krenare për trashëgiminë time. Të shohësh njerëz nga vende të ndryshme, por me të njëjtën trashëgimi, duke u bashkuar përmes muzikës, është vërtet diçka shumë e bukur dhe e veçantë. Mbështetja që kam marrë ndër vite ka qenë e jashtëzakonshme dhe është diçka për të cilën jam vërtet mirënjohëse. Është gjithmonë emocionale ta ndiesh atë lidhje nga afër”, tha artistja.

E pyetur për lidhjen e saj me Kosovën dhe fansat shqiptarë, Rita theksoi se kjo mbështetje e ka shoqëruar që nga fillimi i karrierës.

“Që nga fillimi i karrierës sime, ata më kanë dhënë shumë dashuri dhe inkurajim, dhe kjo mbështetje vazhdon të më inspirojë. Kudo që shkoj në botë, takoj fansa nga Kosova dhe nga komuniteti shqiptar, dhe gjithmonë ka shumë ngrohtësi. Ata më bëjnë të ndihem si në shtëpi, kudo që jam”, tha ajo.

Artistja shtoi se, edhe pse ka performuar në disa prej skenave më të mëdha në botë, koncertet pranë komunitetit shqiptar kanë një peshë tjetër emocionale.

“Çdo publik ka energjinë e vet, por performimi para komunitetit shqiptar ndihet padyshim më personal. Ka një ndjenjë familjariteti dhe emocioni që vjen me këtë. Pasioni i publikut është i jashtëzakonshëm dhe unë mund ta ndiej atë lidhje që në momentin kur dal në skenë”, u shpreh Rita Ora.

Përveç muzikës, Rita ka ndërtuar një karrierë të gjerë edhe në modë, televizion dhe film. Ajo tha se në këtë fazë të rrugëtimit të saj krijues, frymëzimi më i madh vjen nga dëshira për të mos qëndruar në vend dhe për të provuar forma të reja shprehjeje artistike.

“Nuk dua kurrë të qëndroj në vend në aspektin krijues dhe më pëlqen të gjej mënyra të reja për të treguar histori. Qoftë përmes muzikës, aktrimit, modës apo televizionit, më pëlqen ta shtyj veten dhe të provoj gjëra jashtë zonës sime të rehatisë. Bashkëpunimi me njerëz brilantë krijues më frymëzon gjithmonë dhe më ndihmon të evoluoj”, tha ajo.

Rita Ora foli edhe për rritjen e dukshmërisë së artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë periudhë si shumë emocionuese për talentin shqiptar.

“Mendoj se është një kohë jashtëzakonisht emocionuese. Ka shumë artistë shqiptarë të talentuar që po lënë gjurmë në mbarë botën dhe më pëlqen shumë ta shoh këtë. Kjo tregon se talenti nuk ka kufij dhe shpresoj që ne po ndihmojmë për ta frymëzuar gjeneratën e ardhshme të ëndërrojë edhe më shumë”, tha ajo.

Në fund, Rita Ora kishte edhe një mesazh për fansat nga Kosova dhe rajoni shqipfolës që planifikojnë të udhëtojnë drejt Ohrit për koncertin e saj më 1 gusht.

“Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen gjatë viteve. Kjo do të thotë vërtet shumë për mua. Mezi pres t’ju shoh të gjithëve në Ohër. Do të këndojmë, do të vallëzojmë dhe do të krijojmë kujtime të paharrueshme së bashku”, përfundoi Rita Ora.

Koncerti i Rita Orës në Ohër pritet të jetë një nga ngjarjet kryesore muzikore të kësaj vere në rajon, me interes të madh edhe nga fansat shqiptarë që pritet të udhëtojnë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera për ta ndjekur nga afër performancën e saj.

Biletat për koncertin e Rita Orës mund t’i bleni duke klikuar KËTU.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA