Prokuroria Speciale ka dhënë detaje lidhur me intervistimin e ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari në kuadër të hetimeve për rastin “Rezervat shtetërore”.
Në komunikatën zyrtare thuhet: “Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, njoftoheni se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin ‘Rezervat shtetërore’.”.
Tutje, Prokuroria bën të ditur se qëllimi i ftesës ka qenë “konstatimi i plotë dhe i drejtë i gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal”.
Megjithatë, sipas komunikatës, “znj. Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje.”
Prokuroria thekson se “rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.”