Milani ka hyrë në një fazë të re revolucioni, duke marrë vendimin drastik për të shkarkuar trajnerin Massimiliano Allegri, si dhe drejtuesit kryesorë Giorgio Furlani, Igli Tare dhe Geoffrey Moncada. Një lëvizje e bujshme që, sipas mediave italiane, mund t’i kushtojë klubit deri në 22 milionë euro.
Pas një sezoni zhgënjyes në Serie A, ku “Rossonerët” e mbyllën kampionatin vetëm në vendin e pestë dhe mbetën jashtë Ligës së Kampionëve, drejtuesit e klubit kanë vendosur të nisin gjithçka nga e para në verën e vitit 2026.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, shkarkimet do të kenë ndikim të madh financiar në bilancin e klubit. Gazeta italiane raporton se këto shpenzime do të regjistrohen si kosto të jashtëzakonshme në pasqyrat financiare që mbyllen më 30 qershor 2026.
Pesha më e madhe financiare lidhet me largimin e drejtorit ekzekutiv Giorgio Furlani dhe trajnerit Massimiliano Allegri.
Furlani kishte kontratë deri në vitin 2028 dhe përfitonte rreth 3 milionë euro në sezon, pa llogaritur bonuset. Kjo e çon koston totale të largimit të tij në afro 10 milionë euro bruto.
Nga ana tjetër, Allegri është ende nën kontratë deri në qershor të vitit 2027, me një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, ose rreth 9 milionë euro bruto në total.
Edhe Igli Tare do t’i kushtojë klubit një shumë të konsiderueshme. Ish-drejtori sportiv kishte marrëveshje deri në vitin 2028 dhe paga e tij prej 800 mijë eurosh në vit e çon vlerën e mbetur të kontratës në rreth 3 milionë euro bruto.
Ndërkohë, Geoffrey Moncada ndodhet në një situatë tjetër. Francezi kishte arritur marrëveshje për rinovim me Milanin, por kontrata e re ende nuk ishte firmosur, çka do të thotë se klubi ka vetëm një muaj detyrime financiare ndaj tij.
Megjithatë, raporti thekson se këto kosto mund të reduktohen në të ardhmen nëse Allegri, Tare apo Furlani arrijnë marrëveshje të reja me klube ose kompani të tjera.
Sa i përket Allegrit, emri i tij tashmë përmendet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Napolit, në rast se Antonio Conte largohet nga kampionët e Italisë.





