Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit, duke hapur shqetësime serioze për të ardhmen e sistemit arsimor dhe tregut të punës, raporton Ekonmia Online.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vendi ka humbur mbi 21 mijë nxënës brenda periudhës 2020–2024. Ekspertët e arsimit theksojnë se ky fenomen po thellohet dhe po zbulohet mungesa e reagimit institucional për t’u përshtatur me ndryshimet demografike dhe ekonomike.
Drejtori i institutit për studime në edukim “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha se ulja e numrit të nxënësve është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së natalitetit dhe rritjes së emigrimit.
“Rënia e numrit të nxënësve pa dyshim që ka karakter demografik të uljes së natalitetit, por edhe mbi të gjitha të rritjes së imigrimit. Nuk është një projeksion befasues – është në kuadër të asaj që si trend statistikor është prezent me vite e dekada tashmë. Befasuese, pa dyshim, ngelet mosreagimi institucional për përshtatje të politikave dhe investimeve karshi numrit në rënie të nxënësve në të gjitha nivelet arsimore, pa përjashtim”, tha Qehaja.
Sipas Qehajës, nëse politikat arsimore nuk përshtaten me këtë realitet demografik, pasojat do të jenë të ndjeshme në disa dimensione.
“Nëse politikat nuk korrigjohen karshi këtij trendi demografik, atëherë ne do të kemi në rritje mbi të gjitha trendin e fondit të mësimdhënësve të pashfrytëzuar. Aktualisht i kemi mbi 100 mësimdhënës të cilët janë tepricë me fond të paplotësuar të orëve, dhe ky pa dyshim do të jetë një fond i paplotësuar në rritje e tutje. Ne kemi hapësira të pashfrytëzuara të shumë shkollave në zona rurale dhe në të njëjtën kohë kemi shkolla të mbipopulluara në disa zona urbane me intensitete të larta. Ka një shthurje të shpërndarë si në resurse humane, ashtu edhe në resurse infrastrukturore si rezultat i këtij ndryshimi demografik, për të cilin nevojitet një reagim super i shpejtë në mënyrë që ky trend demografik të mos kthehet pastaj në një shqetësim të një përmase më të madhe”, tha ai.
Qehaja paralajmëroi gjithashtu se rënia e numrit të nxënësve lidhet drejtpërdrejt edhe me fuqinë punëtore të ardhshme.
“Ky trend në ulje i numrit të nxënësve kthehet edhe në trend në ulje të fuqisë punëtore të gatshme për tregun e punës. Kjo pa dyshim e vë në pah edhe domosdoshmërinë e përditësimit të shumë profileve, në mënyrë pra që për këtë numër të nxënësve, sado të reduktuar, të kemi profile studimi për të cilat më të vërtetë ka kërkesë tregu i punës. Dhe që këta studentë orientohen në profile që gjenerojnë ekonomi, në profile që kanë kapacitete absorbues”, theksoi ai.
Në të njëjtën linjë me të, njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, tha se zvogëlimi i numrit të nxënësve është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së natalitetit dhe emigrimit, që po e boshatis Kosovën nga brezi i ri.
“Ka disa faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie. Para së gjithash kemi të bëjmë me zvogëlimin e numrit të fëmijëve, pra zvogëlimin e natalitetit. Por edhe emigrimin e dimë që ka pasur një emigrim të konsiderueshëm në këtë kohë që ka qenë si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike, ngritjes së inflacionit, jo stabilitetit ekonomik e social që mbretëron në Kosovë. Por edhe faktorëve të tjerë që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kanë ndikuar në vendimin e familjeve për të emigruar nga Kosova. Kjo do të ketë pasoja në të ardhmen, për shkak se jemi duke humbur njërin prej aseteve më të rëndësishëm, njeriun – të riun, fëmijën e Kosovës – dhe ky zvogëlim i vazhdueshëm i numrit të banorëve do të reflektojë me një të ardhme të zymtë për vendin tonë”, tha Osmani.
Ai theksoi mungesën e një reagimi të sinqertë nga politika dhe mungesën e një vizioni për ta trajtuar këtë krizë në rritje.
“Mendoj se Kosova ende nuk ka një elitë politike të përgjegjshme e cila i merr përgjegjësitë në kuptimin e ndërmarrjes së hapave konkrete për të zbutur gjendjen dhe për të punuar në drejtimin e duhur. Politikanët janë ende të zënë me punët e tyre, më tepër për t’u rehatuar militantët por edhe për të mbushur xhepat e tyre, kështu që kjo fare pak ose aspak nuk u bën përshtypje. Ende nuk kemi udhëheqës e elitë politike që do të punonin për atë që paguhen. Është tragji-komike për vendin tonë – kanë kaluar më shumë se 25 vite dhe deri më sot nuk mund të themi që kemi pasur udhëheqës që kanë pasur dertin e vendit, por e kanë dertin e xhepit të vet”, tha ai.
Osmani paralajmëroi gjithashtu se mungesa e popullsisë së re do të ndikojë direkt në ekonominë dhe tregun e punës në sektorë kyç.
“Kosova do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët, por pa dyshim më të theksuara do të jenë sektorët që ndërlidhen me ndërtimtarinë, agrobiznesin, bujqësinë, blegtorinë, shërbimet e kështu me radhë. Të gjitha këto kërkojnë punëtorë të shkathët dhe të aftë të cilët do të jenë të gatshëm të punojnë. Natyrisht, nuk përjashtohet mungesa edhe e specialistëve të lartë të IT-së, por edhe të fushave të caktuara. Tashmë në shumë vise rurale të Kosovës është shfaqur ky fenomen, kur në shkolla ka numër të vogël nxënësish, por edhe shumë janë mbyllur. Pa dyshim që edhe problemi i tepricës së mësimdhënësve tashmë është shfaqur dhe më të vërtetë do të jetë e vështirë të kemi një menaxhim efektiv kur shumica e fondeve dhe e buxhetit shkon në paga dhe mëditje, dhe mbeten, do të thotë, fonde të pamjaftueshme për investime kapitale”, tha ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2020/2021 ishin të regjistruar gjithsej 229,664 nxënës, ndërsa në vitin 2023/2024 numri ka rënë në 215,431. Rënia ka qenë e vazhdueshme çdo vit: në 2021/2022 u regjistruan 224,429 nxënës, ndërsa në 2022/2023 numri zbriti në 220,578.