Gjykata e Apelit ka vendosur të lirojë nga paraburgimi pesë zyrtarët policorë që po hetohen për vrasjen nga pakujdesia të të ndjerit Agon Zejnullahut.
Policët, Ibrahim Nela, Albion Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri do të mbrohen në liri, pasi Apeli e vlerësoi se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, baza e vetme mbi të cilën ishte vendosur masa e paraburgimit.
Në aktvendimin e sotëm, Gjykata e Apelit konstatoi se megjithëse ekziston dyshimi i bazuar se veprimet e policëve gjatë arrestimit të Agon Zejnullahut kanë qenë të pakujdesshme dhe potencialisht shkaktuan vdekjen e tij, nuk janë paraqitur rrethana konkrete që do të justifikonin rrezikun e përsëritjes së veprës.
Gjykata theksoi se të pandehurit janë tashmë të suspenduar nga detyra dhe nuk paraqesin rrezik të tillë.