Sot është dhënë fjala përfundimtare në rastin e 53-milionëshit, ku të akuzuar janë Pal Lekaj dhe Eset Berisha.
Prokurori Special, Valdet Gashi, tha se mbetet në tërësi pranë të gjitha pikave të aktakuzës kundër të pandehurve dhe Prokuroria Speciale konfirmon me bindje të plotë se është provuar në tërësi gjendja faktike dhe se veprimet e të pandehurve manifestohen.
Gashi, gjatë fjalës përfundimtare për këtë rast, ka thënë se të akuzuarit kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim të shkaktimit të dëmit në buxhetin e shtetit.
Prokurori Gashi ka vlerësuar se mohimi i të pandehurve për veprën penale është i pabazuar, pasi këtë e kanë bërë për t’iu shmangur përgjegjësisë penale pasi kanë qenë të vetëdijshëm për këtë vepër, teksa për të akuzuarit ka kërkuar dënim maksimal.
Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konsorciumin “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, është një nga aferat më të diskutuara në Kosovë.