Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, në një përgjigje për RTV21 ka shfaqur gatishmëri të heqë dorë nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, nëse këtë ia lejon Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar 57 ulëse në Kuvend, kishte deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidat nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit, duke favorizuar rizgjedhjen e deputetit serb Nenad Rashiq në këtë post.
“Gjykata Kushtetuese është afër fundit të një vendimi sa i përket ankesës që e ka paraqitur Lista Serbe. Unë po e pres atë vendim që të sqarohet saktë nëse Lista Serbe ka të drejtë ekskluzive që në mënyrë monopoliste të ketë kandidatin e saj, apo nëse mund të ketë edhe një kandidat tjetër, si në rastin tim. Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë ekskluzive që vetëm Lista Serbe të propozojë, atëherë të gjithë ne do ta respektojmë këtë. Nëse mbetet ashtu siç është, unë jam i gatshëm të jem nënkryetar i Kuvendit, sepse Lista Serbe nuk ka pasur përfaqësim adekuat të serbëve.”, tha Rashiq.






