Kur jeni shtatzënë është shumë me rëndësi që të kujdeseni për veten tuaj. Por, nëse keni bërë plan që të agjëroni muajin e shenjtë të Ramazanit, mund të keni shumë pyetje në kokën tuaj se a mund të ndikojë agjërimi tek ju dhe tek bebja juaj
Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
Në këtë shkrim do të gjejnë përgjigje edhe ato shtatzëna të cilat sapo kanë filluar shtatzëninë, ato që i janë afruar terminit të lindjes dhe gratë me fëmijë.
Mund të jeni e punësuar dhe njëkohësit agjëroni, ose nuk ndiheni shumë mirë që t’i bashkoheni familjes dhe miqve në agjërim. Ndoshta, para pak kohësh keni pasur abort dhe tash keni frikë se mund të ndikojë negativisht nëse nuk hani dhe pini për orë të tëra. Ndoshta, jeni bërë nënë dhe nuk jeni e sigurt se a mund të agjëroni derisa e keni fëmijën në gji.
Nëse vendosni që të agjëroni, në këtë shkrim do t’i gjeni të gjitha këshillat për materiet ushqyese për të cilat bebja ka nevojë. Me këtë shkrim jemi përpjekur t’ju ndihmojmë që agjërimi i Ramazanit të jetë i shëndetshëm krahas të qenët i shenjtë.
Sapo keni mbetur shtatzënë. A duhet të agjëroni?
Feja Islame thotë se ju duhet të agjëroni nëse ndjeheni e fortë dhe shëndetshme për të bërë një gjë të tillë. Pasi që jeni shtatzënë, ju jeni e liruar nga detyrimi që të agjëroni. Mos e injoroni këtë lejim nëse e shihni se agjërimi mund t’ju dëmtojë juve ose beben tuaj. Gjendjet në të cilat rekomandohet mosagjërimi janë:
– Vjellja
– Shtypja e lartë e gjakut
– Nëse keni binjakë
Në fillim të shtatzënisë mund të vuani nga:
– Plogështia
– Kapsllëku
– Kokëdhimbja
– Marramendja
Këto mund të theksohen akoma më shumë nëse nuk hani ose pini për periudha të gjata kohore.
Ndryshimi i rutinës së përditshme, mungesa e ushqimit dhe ujit si dhe ngrënia e pirja në kohë të ndryshme nga zakonisht mund të shkaktojë tek ju stres. Në një studim u gjet se gratë shtatzëna të cilat agjërojnë kanë vlerën e kortizolit (hormon i stresit) më të larta se gratë të cilat nuk agjëronin.
Pa marrë parasysh se a agjëroni apo jo, ju mund të keni marramendje, pengesa në të pamur ose dhimbje të këmbëve. Nëse keni ndonjërën nga këto ankesa konsultohuni me mjekun.
Nëse keni dyshime për atë se a duhet të agjëroni apo jo bisedoni me një predikuese të fesë, me burrin tuaj, me nënën, motrën ose me ndonjë shoqe.