Rama: SPAK-u verifikoi pronësinë e investitorëve të huaj mbi tokën në Zvërnec

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se pas verifikimeve të kryera nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), investitorët e huaj rezultojnë pronarë të një toke ku është planifikuar të ndërtohet një projekt turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.

Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës së rrethuar me gardh metalik në Zvërnec rezulton të jetë kompania Albania Land Development, e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Shqipëri, më 27 maj 2025.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

“Një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë”, tha Rama pas mbledhjes së Qeverisë shqiptare më 3 qershor.

Ai vlerësoi edhe faktin që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë te shitësi, për të cilin ka një proces hetimor.

“Kjo, në këndvështrimin tim, është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, pasi çështja do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur nga SPAK-i, dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore dhe do t’i japë fund çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj”, tha Rama.

Në lidhje me hetimet për çështjen e pronësisë ndaj tokës në Zvërnec, zyra për mediat e SPAK-ut sërish të mërkurën tha se “çështja ndodhet në një fazë procedurale, detajet e saj nuk mund të bëhen publike në këtë moment”.

Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se hetimi do të tregojë nëse shitësi ka një origjinë legjitime të pronës dhe më pas do të marrë paratë. Nëse do të rezultojë e kundërta,“paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe patjetër që ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”.

Ditët e fundit ka pasur protesta kundër punimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku është paraparë të ndërtohet një resort, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Kjo zonë është mjedis i mbrojtur dhe konsiderohet si një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata shtegtar, përfshirë flamingot.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner kishte njoftuar se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

E pyetur lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec, kompania e lidhur me investimet e Kushnerit në Shqipëri, Affinity Partnerm i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

“Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

Qeveria shqiptare ka thënë se investimi në Zvërnec është në vlerë prej 4 miliardë eurosh dhe ai synon ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA